Vështirësitë, fama dhe rrjetet sociale: Morata i tregon të gjitha

0

Alvaro Morata, ish-sulmuesi i Real Madrid dhe Juventus, aktualisht lojtar i Çelsit, ka folur gjatë për “El Mundo Deportivo”, ku tregon vështirësitë e përjetuara gjatë kësaj periudhe. Problemet nisen me largimin nga Torino. Dëmtime, humbje besimi dhe probleme psikologjike. Fama dhe paratë kanë të mirat e veta, por jo gjithçka që shkëlqen është ar.

25-vjeçari ia ka dalë të marrë veten, si pasojë e mbështetjes së gruas dhe familjes së tij, ndërsa tashmë është i lumtur dhe ndihet mirë. Të gjithë mendojnë se futbollistët kanë një jetë të thjeshtë, por sulmuesi spanjoll mendon ndryshe dhe e shpjegon qartë mendimin e tij.

SPANJA – “Pasi nuk arrita të shkoja me Spanjën në Botëror, mendova se grumbullimi i shtatorit të kaluar me kombëtaren ishte një çmim më shumë se çdo gjë tjetër. Mendërisht nuk ndihesha gati për të konkurruar siç duhej. Sot jam më i vetëdijshëm se pse ndodhem këtu. Në shtator gjëja më e rëndësishme nuk ishte të luaja, por të kthehesha dhe qëndroja në këtë grup. Sot është më ndryshe, sepse kam më shumë besim te vetja dhe jam i lumtur.”

MOMENTET E VËSHTIRA – “Kam mësuar shumë gjëra nga sezoni i kaluar. Ishte një vit shumë i vështirë. U ktheva në shtëpi, prita ftesën për të luajtur në Rusi, por nuk erdhi. Mund të mësosh nga këto situata, edhe pse janë të vështira për t’u përjetuar. Me ardhjen në jetë të fëmijëve të mi kam mësuar të kontrolloj emocionet, ato negative dhe pozitive. Sot jam një person i lumtur, mbi të gjitha jashtë fushës, larg futbollit. Kur luaj më pëlqen të jem më i lumtur dhe ky është motivi se pse duhet të shënoj gola. Në muajt e kaluar kam folur për vështirësi, por nuk fola kurrë për depresion. Kur erdha në Londër shënova shtatë gola në shtatë ndeshjet e para dhe tifozët filluan të thërrisnin emrin tim në kor. Njerëzit më donin. Më pas u dëmtova dhe gabova që u riktheva të luaj, kur kisha ende dhimbje. Nuk doja të flisja me askënd, derisa gruaja ime më tha: ‘Po gabon, kjo nuk është rruga e duhur’. U zemërova dhe mendoja se edhe ajo ishte kundër meje.”

JETA E NJË FUTBOLLISTI – “Futbollistët kanë të njëjtat probleme me të gjithë qeniet njerëzore. Ndoshta edhe më shumë, sepse paratë dhe fama fillojnë e të kthehen në problem. Shumë njerëz mendojnë se jeta jonë është për t’u patur zili dhe se kemi më shumë privilegje se të tjerët. Por, ndonjëherë, paratë të krijojnë probleme, si ato që pata unë. Madje dhe me familjen, por njerëzit nuk e kuptojnë. Paratë të ndihmojnë, sigurisht, por mund të të heqin shumë gjëra, sepse në aspektin ekonomik, lojtarët nuk kanë eksperiencë dhe me moshën që kemi, duhet të mendojmë për të ndihmuar një mik, i cili ka marrë vendime të gabuara në jetë. Ndoshta jemi ne, ata që duhet ta shpëtojmë. E bën njëherë, dy, pastaj tre… I ke paratë, por janë situata të këqija. Instagram për shembull, tregon një lumturi të rreme. Ka ditë kur je i trishtuar dhe poston një foto të lumtur, që nuk reflekton momentin se si ndihesh. Kjo bën të humbasë vlera, sepse ajo që vlen janë kontratat publicitare. Ka dhe raste kur dëshiron të dalësh për një birrë, sepse je i ri dhe kështu të pëlqen, por përfundon përpara 300 celularëve rreth teje me njerëz, të cilët duan një foto me ty.”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.