Trajneri më i çmendur në botë: Italinë e mori me shkelma një skuadër refugjatësh

Sandro Pokeshi, prej këtij sezoni trajner i Ternanës, është një yll i konferencave për shtyp, dhuron spektakël me gazetarët dhe është kthyer në një personazh mjaft të kërkuar, pasi thotë hapur atë që mendon, duke habitur të gjithë. Si gjithnjë, edhe dje Pokeshi doli në konferencë për shtyp për ndeshjen e sotme në kampionat, por nuk foli vetëm për Ternanën, sepse preku edhe humbjen e Italisë në Suedi. Theks roman, fjalor i vrazhdë, që ka krijuar shumë debate, aq sa tashmë flitet se mund të pezullohet nga Federata Italiane. Megjithatë, Pokeshi ka thënë atë që mendojnë shumë italianë.

“Ternana ime nuk është si Italia, që shkoi në Suedi dhe e morën me shkelma. Jo vetëm që humbi ndaj një skuadre refugjatësh, por edhe e morën me shpulla dhe tani rrezikojmë të mos shkojmë në Botëror. Një herë e një kohë Italia i merrte me shkelma kundërshtarët dhe fitonte, ndërsa tani na rrahin dhe qajmë. Jemi bërë të gjithë borgjezë, elegantë. Suedia është skuadër e Serisë C, po të mbledhim më të mirët e Serisë C e mundim Suedinë, ndërsa tani duhet të rrimë me dorë në zemër deri të hënën”.

“Ardhja e shumë të huajve në Itali ka çuar te kjo: nuk ka më italianë që luajnë futboll me shkelma. Flitet çdo muaj për të marrë në kombëtare ndonjë të huaj me origjinë italiane. Futbolli italian ka marrë fund, edhe skuadrat e të rinjve janë mbushur me të huaj. Është e kotë që ta quajmë kampionati italian, kështu. Eliminohemi nga frika dhe kështu humbasim të gjithë, jo vetëm kombëtarja. Nëse unë shoh një skuadër që ka frikë, iki fare, sepse ndoshta ia kam transmetuar unë frikën”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *