Tërbuni, Syla rikthehet me dy biznesmenë

0

Ish-presidenti dhe donatorët e tjerë pukjanë, bindin talentin e Shpresës, Amarildo Gjoka, që të luajë në Pukë

Gani Pema

Tërbuni do të ketë të garantuar anën financiare në sezonin e ardhshëm, pasi janë disa biznesmenë të njohur pukjanë, të cilët do të investojnë te Tërbuni dhe pritet që të afrojnë shumë futbollistë të njohur, madje edhe pukjanë të talentuar të cilët luajnë jashtë vendit. Kryebashkiaku Gjon Gjonaj, u ka bërë thirrje pak kohë më parë, dhe shumë biznesmenë të fuqishëm nga Puka, do të afrohen dhe do ta mbështesin skuadrën e Tërbunit që synon elitën sezonin e ardhshëm. Biznesmeni Petrit Syla, është më afër Tërbunit, i cili ka pasur vitet e fundit kontribut maksimal për ekipin pukjan, madje, dy herë e ka ngjitur nga Kategoria e Dytë në të Parën.

SYLA – Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Petrit Syla, konfirmon jo vetëm mbështetjen e tij dhe të dy biznesmenëve shumë të fuqishëm nga Puka për skuadrën e futbollit, por edhe afrimin e një talenti me origjinë nga Puka. “Natyrisht, dihet pasioni që unë kam për futbollin dhe sidomos për skuadrën e Tërbunit. E di gjithë Puka apo dhe zonat përreth se sa kam bërë unë dhe sa e dua këtë skuadër. Madje, të gjithë biznesmenët që jetojnë në qytetet e tjera dhe kanë mundësi të bashkohen dhe të ndihmojmë skuadrën në projektin madhor që ka edhe Bashkia e Pukës, për ta rikthyer ekipin në elitë. Mendoj, se me projektin që kemi, sezonin e ardhshëm do të jemi në elitë. Stafi është thuajse i konfirmuar me Kreshnik Krepin dhe Kërnajën e Nezirin. Por, do të qëndrojnë edhe disa futbollistë që kanë qenë pjesë e skuadrës sonë edhe edicionin e shkuar. Bashkë me donatorët pukjanë, do të afrojmë shumë futbollistë të njohur”, ka thënë Petrit Syla, ish-presidenti i Tërbunit.

OFERTA – Ndërkohë, Petrit Syla, bën të ditur edhe ofertën për një talent nga Puka që ka luajtur jashtë vendit, madje edhe pjesë e skuadrës sonë Shpresa U-21. Bëhet fjalë për futbollistin 21-vjeçar Amarildo Gjoka, i cili ka luajtur në Belgjikë edhe më kombëtaret e moshave. Por edhe me U-17, U-19 dhe U-21 të Shqipërisë. Gjoka ka luajtur me skuadrën e U-21 të Kortrijk në Belgjikë, ku ka shënuar edhe 6 gola. “E kam ndjekur në Belgjikë, e ka origjinën nga Fushë-Arrësi dhe i kam bërë ofertë që të vijë në Pukë duke i treguar edhe synimet tona. Kemi gjetur akordin dhe me shumë gjasa ai do të luajë me Tërbunin sezonin e ardhshëm. Por, ka edhe shumë lojtarë pukjanë që luajnë në ekipe të Kategorisë së Parë dhe Superiores, të cilëve u kemi bërë ofertë dhe shumë shpejt do të ketë zyrtarizime”, ka theksuar Petrit Syla.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here