Tërbuni bën goditjen finale, firmos me një “ujk” goli

0

Tërbuni nuk ndalet, sepse ashtu si kishte paralajmëruar trajneri Oltijon Kërnaja para pak ditësh, firma me sulmuesin Eriol Merdini (11 gola për Spartakun e Tiranës në fazën e parë) nuk do ishte e fundit në merkaton e janarit.

Klubi pukjan, kryesues në grupin A në Kategorinë e Dytë, kërkonte edhe “qershinë mbi tortë” dhe Kërnaja ia ka dalë mbanë, duke firmosur me sulmuesin Artur Sejdini.

26-vjeçari është një ekspert në nivele të tilla, sepse sezonin e shkuar bëri “kërdinë”, duke shënuar 24 gola në Kategorinë e Dytë me Vorën, përfshirë dy gola në triumfin 5-2 ndaj Elbasanit në finalen e Kategorisë së Dytë.

Këtë sezon Sejdini ka shënuar dy gola, por Vora ka një ekip të dobët për Kategorinë e Parë dhe përveç kësaj problemet financiare po e rrënojnë ekipin nga periferia e Tiranës, ndaj Sejdini ka vendosur të firmosë një kategori më poshtë, me synimin për të ndihmuar Tërbunin të kthehet në nivelin e dytë të futbollit shqiptar.

Me këtë goditje Tërbuni kompleton sulmin, që ishte pika e dobët në pjesën e parë të sezonit, ndërsa do të përgatitet seriozisht për pjesën e dytë të sezonit, sepse gara për kreun e grupit A në Kategorinë e Dytë është mjaft e egër këtë sezon, si rrallë më parë, me disa klube në garë për ngjitje direkte.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.