“Takaj nuk flet në ajër”, Shehi do titullin dhe… përforcime

0

Orges Shehi ka përsëritur vetveten dhe kërkon përforcime. Trajneri i Skënderbeut, në një lidhje direkte me emisionin “Sport News Plus” në News 24, thekson se pret lojtarë në ekipin e tij. Më së shumti nevojat janë në mesfushë, pasi Demte dhe Lulaj janë dëmtuar. Veçse për merkaton, tekniku durrsak ka komentuar edhe shtyrjen e kampionatit.

MERKATO – “Duke pasur parasysh që ne na duhen lojtarët, na duhen sidomos në repartin e mesfushës, po bëjmë çmos që ato lojtarë t’i gjejmë. Por jemi koshientë që është e vështirë të gjesh lojtarë me cilësi dhe që bëjnë diferencën. Kemi qenë në bisedime në çdo moment me drejtuesit. Ata e dinë shumë mirë se ne na duhen lojtarë dhe po punojnë. Në dijeninë time dhe në kontaktet e mia të përditshme që kam si me presidentin, si me drejtorin, ata janë duke punuar me intensitet të lartë për të gjetur lojtarë. Kështu që i kthehem asaj që thashë më parë, shpresoj që t’i gjejmë”.

SHTYRJA E KAMPIONATIT – “Duke qenë se këto ditë janë të ftohta, sidomos për ne që në Korçë duhet të përballemi me motin e ftohtë, mendoj se është një vendim i drejtë duke parë kushtet atmosferike. Kështu që na jep mundësinë të punojmë edhe një javë më shumë dhe për të luajtur në kushte më optimale. Me këto ngrica që po kalojmë tani është e vështirë”.

DEKLARATA E TAKAJT – Pak ditë më parë presidenti i Skënderbeut ka theksuar se gabojnë ata që nuk e llogarisin Skënderbeun për titull. Edhe Shehi mendon njëlloj: “Sigurisht që presidenti nuk flet në ajër, bazohet te grupi, te lojtarët që janë aty. Ne kurrsesi nuk mund ta përjashtojmë veten nga gara. Se si na llogarisin të tjerët është punë për ta, në llogaritë tona dhe me kontingjentin që kemi, shpresoj që edhe të përforcohemi pak dhe me rikthimin e dy dëmtimeve që kemi, ne jemi të qartë se do të luftojmë për objektiva madhorë, siç i ka hije Skënderbeut”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.