Supermeni Oçoa, historia e çuditshme e meksikanit që mahnit në çdo Botëror

0

Meksika e ka mbyllur që në turin e dytë aventurën ruse, duke u mundur 2-0 nga Brazili, dhe mallkimi vazhdon për një kombëtare mjaft të fortë dhe me lojtarë cilësorë, por që nuk i do as fati, sepse menjëherë u ndeshën me favoritët e Botërorit, ashtu si u ndeshën 4 vite më parë me Holandën në turin e dytë dhe u mundën me dy gola pas minutës së 88-të, në një kohë që kryesonin.

Ashtu si para 4 vitesh, personazh kyç për Meksikën ishte portieri Gijermo Oçoa, tashmë 32 vjeç. Një portier me reflekse maceje, me një karrierë të pasur, duke shkëlqyer te Klub Amerika deri në vitin 2011. Në atë vit Oçoa erdhi në Europë, por zgjedhja e tij ishte e çuditshme, sepse firmosi për Azhaksonë në Francë. Më pas Malaga, ku u kritikua shumë, Granada (ku u shpall Lojtari i Sezonit) dhe sezonin e fundit Standard Liezh, nënkampion.

Një karrierë e çuditshme, sepse portieri më i mirë në historinë e Meksikës dhe mbreti i Botërorit 2014 u konfirmua edhe këtë vit, por duket e klubet e mëdhenj nuk e shohin.

Në vitin 2014 Oçoa pësoi vetëm një gol në grupe dhe priti gjithçka ndaj Brazilit, ndërsa ishte Njeriu i Ndeshjes në çdo takim të Meksikës.

Pas paraqitjeve prej superheroi në vitin 2014 në internet u përhap edhe një legjendë urbane sikur Oçoa kishte 6 gishta në njërën dorë.

Nejmar nuk e kishte harruar, para 4 vitesh Oçoa i priti gjithçka mundi, me 14 gjuajtje të Brazilit në kuadrat.

Sot Oçoa ishte sërish muri meksikan, jo ai i Donald Trampit. Edhe sot histori e njëjtë, por kur në fillim të pjesës së dytë Brazili shënoi, me 3-4 vetë para tij, Oçoa nuk kishte ç’të bënte më shumë. Muri u shemb, jo për faj të tij. 25 pritje në total në Kupën e Botës 2018, vetëm Tim Hauard (27) në vitin 2014 qëndron më lart në dy edicionet e fundit të Kupës së Botës.

Ndoshta po të luante në një klub të madh, do e tregonte edhe më mirë vlerën e vet, sepse është e lehtë të luash kur ke përpara mbrojtjen e Barcelonës, Realit, Bajernit apo Mançester Junajtid. Meqë ra fjala, De Gea kthehet në shtëpi me vetëm një pritje në gjithë Botërorin 2018. Bëjeni vetë krahasimin.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.