Spaleti: “Lautaro e Ikardi meritojnë të luajnë. Modeli Ajaks nuk imitohet dot në Itali”

Interi luan këtë fundjavë një ndeshje kyçe kundër Romës në garën për një vend në Champions League dhe trajneri zikaltër Luçiano Spaleti e ka të qartë rëndësinë e sfidës, por kërkon të ulë presionin tek Interi.

“Është një ndeshje shumë  e rëndësishme, natyrisht edhe për faktin se një pjesë e jetës sime ka qenë te Roma. Deri në fund do jenë të gjitha si finale. Duke qenë në garë për 4 vendet e para, me 6 javë të mbetura, kundër Romës, do të thotë që e kemi mbyllur jo pak hendekun që kemi pasur deri vjet. Roma është në formë, ka rigjetur rezultatet pas vështirësive që janë normale, edhe ne kemi pasur vështirësi“.

Lautaro apo Ikardi titullar? “Të gjithë merreni vetëm me një çështje, por ka edhe 10 fanella të tjera për të folur. Duam ekuilibër në fushë, duke qenë më të zotë se kundërshtarët, kaq. Nuk e di cili do luajë titullar, të dy e meritojnë të jenë në fushë“.

Xheko, një mundësi për transferim tek Interi? “Sot flas për lojtarët e mi. Xheko është kundërshtar i frikshëm, por ne kemi dy sulmus të të njëjtit nivel. Për merkaton pyesni Auzilion“.

Toti, “armiku” i Spaletit, mund të bëhet drejtues me peshë më të madhe te Roma: “Është e vështirë të gjykoj punët e të tjerëve. Nuk dua të përfshihem, kam rol tjetër tani”.

Për të ndalur Juven, a mund të imitohet Ajaksi? “Ajaksi po luan ndeshje të mira, por është e vështirë të krijosh një model Ajaks në Itali. Ajaksi ka një kulturë në nivel klubi dhe kombi, kanë një model mbi të cilin punojnë prej dekadash, nuk është aq e lehtë t’i imitosh. Jashtë Italisë nisin punën që nga portieri“.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *