“Shpërthejnë” tifozët shkodranë: Te Vllaznia nuk po respektohen talentet!

Humbja që Vllaznia pësoi ndaj Erzenit në javën e 15-të të Kategorisë së Parë, nuk është pritur mirë në ambientin sportiv shkodran dhe më gjerë. Fitorja ndaj Kamzës që skuadra e drejtuar nga Hasan Lika e arriti në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës së Shqipërisë, u duk se Vllaznia nuk do ta kishte problem vazhdimësinë në kampionat për të ruajtur stofin e kryesueses së grupit.

Ndeshja e javës së 15-të me Erzenin pritej më shumë si një konfirmim, por humbja e pastër 0-2 nuk tregoi asgjë nga Vllaznia e 14 javëve të para në kampionatin e Kategorisë së Parë, dhe nga ajo skuadër që fitoi me Kamzën në Kupë. Rrugëtimi i Vllaznisë tashmë komplikohet pas kësaj humbjeje dhe shkaku është hedhur në “fushën” e trajnerit, edhe për faktin se nuk po respekton futbollistët e rinj vendas.

Specialistë të futbollit në Shkodër dhe tifozë të ndryshëm kërkojnë që të shikohen me prioritet talentet shkodranë, ndërsa titullarët të vlerësohen për atë që po japin në fushën e lojës. Në mediat lokale në Shkodër, por edhe në rrjetet sociale, humbja me Erzenin ka sjellë debatin pikërisht për këtë temë, e cila duket sa reale, aq edhe e pamundur. Për vetë synimet që ka Vllaznia në këtë sezon, ndoshta me lojtarët e rinj nuk mund garantohet suksesi i sezonit për ngjitje direkte në Superiore, kur e ndajnë 4 pikë nga vendi i dytë në grupin A.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *