Sheva: CR7 ndihmoi, por Italisë i duhet Milani i madh! Xhampaolo i duhuri

Andrij Shevçenko është një emër që krijon gjithmonë emocione të forta dhe kujtime fantastike te tifozët e Milanit. Ish-bomberi ukrainas sot drejton kombëtaren e tij, por nuk humbet kurrë shansin të flasë për kuqezinjtë, ekipin e tij të zemrës.

Sheva është prononcuar gjatë për “Gazzetta dello Sport”, aty ku prek disa tema. Milani, drejtuesit dhe trajneri i ri dhe dëshira për t’i parë kuqezinjtë përsëri protagonistë. Entuziazmi i tifozëve është i madh, ashtu si besimi i Kristof Piatek, i cili ka zgjedhur numrin 9 mbi supe.

PIATEK – “Piatek e ka merituar numrin 9. Mënyra se si u integrua në ekip, natyraliteti i tij dhe golat e rëndësishëm që ka shënuar bëjnë që ta meritojë plotësisht. Tani ka ardhur momenti që Kris të marrë përsipër përgjegjësitë e këtij numri të rëndë.”

DREJTUESIT – “Mendoj se drejtuesit e rinj po bëjnë gjëra pozitive, si për shembull projekti i stadiumit të ri. San Siro do të na mungojë të gjithëve, sepse është një stadium i mrekullueshëm. Gjithsesi, do të kemi një stadium të ri modern aty afër. Ky është një hap i rëndësishëm për ekonominë e një klubi. Gjërat ndërtohen me kalimin e kohës dhe nuk po flas vetëm për skuadrën.”

MALDINI-BOBAN – “Mentaliteti i Milanit nuk ka ndryshuar. Maldini dhe Boban janë një garanci. Do të bëjnë gjëra të bukura së bashku. Paolo po rritet si drejtues. Pritshmëritë janë të mëdha, por besoj se Paolo dhe Zvone do e rikthejnë Milanin aty ku është mësuar të jetë. Shoh shumë qartësi te ky Milan. Jam i lumtur për të dy, por edhe për faktin që djali i Paolos është grumbulluar me ekipin e parë. Ata janë një dinasti. Një tjetër Maldini në fushë është më shumë garanci sesa siklet.”

EUROPA – “Mendoj se klubi bëri një zgjidhje logjike për të ardhmen. Unë jam pozitiv dhe shoh një entuziazëm të vërtetë. Mos të harrojmë se futbolli italian ka nevojë për Milanin. Kristiano Ronaldo ka ndihmuar në rritjen e futbollit italian, por rritja e kuqezinjve është thelbësore në këtë aspekt.”

XHAMPAOLO – “Më duket një tip me ide të forta, njësoj si drejtuesit. Ai është një trajner, i cili mund të arrijë rezultate të mëdha nëpërmjet lojës së bukur. Të je përshtypjen se është shumë i përgatitur dhe mendoj se është një zgjedhje shumë e mirë.”

MENTALITETI -“Nuk mjafton vetëm rezultati, por as vetëm loja e bukur. Një skuadër duhet të ketë një identitet, por sidomos duhet të fitojë. Është e drejtë të kërkosh të ofrosh një spektakël të bukur, por njerëzit duan fitore. Asnjë tifoz nuk zbavitet kur ekipi i tij humbet.”

UKRAINA – “Kemi ndërtuar një lojë të një kualiteti të mirë dhe objektivi është kualifikimi në Europianin e ardhshëm. Në tetor do të kemi një ndeshje të vështirë kundër Portugalisë, por kam shumë besim tek ekipi.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *