Sarri hap “kartat” që pas fitores së parë

Ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme aventura e Mauricio Sarrit me Çelsin. Fitore e pastër, 0-3, në transfertë përballë Hadërsfilldit, por italiani qëndron me këmbë në tokë. Vendosi kualiteti, por ekipi nuk është akoma gati. Sarri tregon pengun e merkatos për “Sky Sport”, dhe lëshon batuta për Ançelotin dhe De Laurentis.

Fitorja – “Akoma nuk mund të themi që ky është Çelsi im. Sot fituam më tepër për meritë të kualitetit të individëve, sesa për organizimin taktik. Jam i kënaqur që skuadra diti të vuajë dhe pavarësisht se ishte një ndeshje e vështirë, ja dolëm me sukses.”

Mjaftojnë tri muaj? – “Tek Napoli mjaftuan, por këtu rrugëtimi është pak më i gjatë dhe fillon tani që i kam të gjithë gati, ata që u kthyen nga kombëtaret, por edhe blerjet e reja.”

Merkato – “Në thelb klubi ka qenë tepër i gatshëm për të përforcuar ekipin. Kemi marrë një portier të madh. Ishte e drejtë të mos e mbanim Kurtuan pa dëshirën e tij dhe kemi marrë një portier të ri dhe të fortë. Kovaçiç mund të shpërthejë me ne dhe ka ardhur dhe Zhorzhinjo. Baza e ekipit ka qenë tepër e mirë.”

Higuain – “Ndjej pak keqardhje që nuk e morëm dot, por të gjithë klubet në fundin e merkatos kanë pengjet e tyre.”

Ançeloti – “Do të më telefonojë për fazën defensive? Nëse më thërret, do të shkoj më kënaqësi ta takoj, sepse kur je me Karlon ushqehesh shumë mirë.”

De Laurentis flet akoma për mua? – “Do të thotë që i mungoj (qesh).”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *