Paralajmërimi i Moxhit: Keni një javë kohë, ndryshoni ose masa

1

Drejtori i Përgjithshëm: Ekip pa karakter, s’kam parë skuadër të tillë. Ndryshoni në ndeshjen e kupës dhe kampionatit, ose do të ndërhyj…

As në ëndrrat më të këqija dhe në makthet më të largëta të kuqtë nuk e kishin menduar një start të tillë të kampionatit. Vendi i fundit, 2 humbje, 1 barazim dhe asnjë gol i shënuar. Të flasësh për titullin kampion dhe objektivat e fillimit të sezonit është utopike, pasi “demat” tashmë janë një krizë identiteti. Ekipi s’ka harmoni, nuk ka lidhjen e duhur dhe në fushë nuk po demonstron asgjë. Një tjetër problem i madh i të kuqve është edhe “fryrja” që i kanë bërë vetes para fillimit të sezonit, pasi objektivat për titull janë trumbetuar me të madhe, ndërsa as vendi i dytë janë shprehur se nuk i kënaq. Humbja me Laçin u kalua, pasi vëmendjen kryesore e mori portieri Alban Hoxha dhe dënimi i tij. Barazimi me Kukësin u cilësua si një rezultat i keq, por të paktën skuadra dhuroi një ndeshje të mirë duke treguar rritje. Në fund, humbja kundër Skënderbeut ka skandalizuar të gjithë tifozët, por edhe vetë drejtuesit e klubit.

Drejtori i Përgjithshëm Luçiano Moxhi është futur në dhomat e zhveshjes duke folur me tone të ashpra me futbollistët e “demave”. Ai ka ngritur tonin duke qenë i vetmi që dëgjohej në dhomat e zhveshje. Fjalët e tij drejtuar futbollistëve kanë qenë mjaft të ashpra. “Sport Ekspres” arrin të zbulojë edhe pjesë të fjalës së tij dhe kritikave ndaj futbollistëve.

FJALIMI – Menjëherë pas mbarimit të ndeshjes, Drejtori i Përgjithshëm Luçiano Moxhi ka zbritur në dhomat e zhveshjes së stadiumit “Skënderbeu”. I nxirë në fytyrë edhe për vetë paraqitjen e ekipit, ndryshe nga herët e tjera, 80-vjeçari është shprehur me tone të larta dhe të bërtiturat e tij dëgjoheshin deri jashtë. “Nuk kam parë një ekip të tillë. Skuadër pa karakter. Nuk dua kështu, dua të shikoj lojtarë me karakter në fushën e lojës. Çfarë po ndodh me ju, disa po ecin në fushë. Mos doni të na largoni ne, stafin, trajnerin? Jeni të gjithë të paralajmëruar, një javë keni kohë. Në sfidën e Kupës dhe kampionatit dua të shoh ndryshime, ndryshe do të marr masa unë.”, – ka qenë një pjesë e fjalës së Moxhit drejtuar lojtarëve.

FUTBOLLISTËT – Në momentin që drejtori i përgjithshëm u është drejtuar lojtarëve, asnjë nga futbollistët e kuq nuk kanë reaguar. Ata vetëm kanë dëgjuar fjalët e italianit. Atmosfera është mjaft e nderë në kampin e kuq për momentin.

SHPËRNDAJE

1 KOMENT

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here