I shpalli kampionë për herë të parë në histori dhe është pranë titullit të dytë radhazi, çudia e madhe me largimin e Shpëtim Duros

Shkarkimi i trajnerëve pak javë përpara fundit ta kampionatit duket se nuk është vetëm një sindromë e klubeve të kampionatit tonë, por e gjithë ekipeve shqiptare në rajon. I radhës që e pësoi ishte Shpëtim Duro. Megjithëse është një nga trajnerët më të mirë shqiptarë në qarkullim, Duro u shkarkua mëngjesin e sotëm nga stoli i Strugës. Largim që erdhi si rrufe në qiell të hapur.

Njoftimi i klubit Struga Trim & Lum shkaktoi jo pak çudi në opinionin sportiv. Duro u emërua në krye të tyre në marsin e vitit të shkuar, kur i udhëhoqi drejt titullit të parë kampion në histori. Suksesi nuk u ndal vetëm në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, por u shtri edhe në Europë. Trajneri i njohur kryeqytetas e drejtoi Strugën deri në fazën “play off” të Ligës së Konferencës. E si për të mos u mjaftuar me kaq, këtë sezon është ende në garë për titullin kampion.

Kampionati maqedonas është vetëm 3 javë larg fundit të tij dhe Struga, Shkëndija dhe Shkupi janë të treja në kyre me pikë të barabarta. Ndërkohë, në dy ndeshjet e fundit të kampionatit, Struga do të përballet drejtpërdrejtë me Shkëndijën dhe Shkupin, duke e pasur në dorë fatin e saj. Por drejtuesit e kanë parë të udhës të largojnë nga detyra Shpëtim Duron në këtë moment delikat të kampionatit, duke shkaktuar habi të madhe në opinionin sportiv mbarë shqiptar./Halit Delibashi-Sport Ekspres/