Një vit i çuar dëm, Teo Hernandez largohet nga Reali

Një vit më parë bëri bujë një ‘vjedhje’ që Reali i Madridit i bëri Atletikos së Madridit, sepse i rrëmbeu mbrojtësin Teo Hernandez, duke paguar klauzolën e prishjes së kontratës, prej 30 milionë eurosh. Hernandez, me origjinë franceze, vinte nga një sezon i shkëlqyer në huazim tek Alavesi dhe Atletiko e shihte si një titullar për të ardhmen.

Megjithatë, mbrojtësi i majtë zgjodhi Realin dhe e nisi me premtime të bujshme, duke pretenduar të bëhej titullar në Bernabeu. E kotë, një sezon në stol dhe pak hapësirë vetëm kur mungonte Marselo, ndërsa këtë verë Hernandez është kaluar edhe nga mbrojtësi i ri Reguilon.

Sot Teo Hernandez u transferua në huazim 1-vjeçar te Real Sociedadi, duke u larguar kokulur nga Madridi, ku do të kthehet vetëm nëse shkëlqen në San Sebastian. Ndërkaq, Teo ka bërë edhe gafën tjetër, duke braktisur kombëtaren franceze U-21 verën e shkuar, pasi kishte ikur me pushime dhe ndoshta shpreson që të luajë për Spanjën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *