Nis merkatoja verore, Dejvi Bregu drejt Skënderbeut

0

Leonard Trebicka

U shpall para pak ditësh talenti i sezonit dhe e ardhmja e tij lidhet me Skënderbeun. Dejvi Bregu mund të konsiderohet 90% lojtar i korçarëve, të cilët e kishin vënë në shënjestër prej kohësh, madje edhe vetë mesfushori-sulmues ua kishte shkelur syrin. Zyrtarizimi i marrëveshjes, siç bëjnë me dije burime pranë gazetës, është vetëm çështje ditësh. Klubi korçar ka një politikë të qartë në lidhje me lojtarët që afron në ngjirin e tij, të cilët duhet të jenë me kualitet dhe në moshë të re, në mënyrë që më pas të shiten në skuadra të kampionateve të huaja, siç ka ndodhur kohët e fundit me Bernard Berishën, Peter Olainkën, Agim Zekën dhe pritet të ndodhë edhe me Liridon Latifin. Dejvi Bregu i plotëson të gjitha këto kushte dhe nuk ka pse të mos bashkohet me korçarët, duke zënë pikërisht vendin e Latifit si sulmues i krahut të majtë. Sezoni mjaft i mirë, që vlonjati zhvilloi me Luftëtarin ka bërë që të kërkohet nga disa skuadra, por në fakt Skënderbeu duket një “dashuri me shikim të parë” për të. Futbollisti i ri ka arritur të shënojë 9 gola me fanellën e Luftëtarit gjatë sezonit që lamë pas, por më tepër ka rënë në sy me depërtimet e tij brilante dhe driblimet ndaj lojtarëve kundërshtarë.

KARTONI 50/50 – Dejvi Bregu ka ende kontratë me klubin gjirokastrit dhe largimi i tij duhet të bëhet patjetër me konsensusin e Luftëtarit. Nga sa bëhet e ditur, palët kanë rënë dakord, që 50% të kartonit ta blejë Skënderbeu dhe 50% ta mbajë Luftëtari. Kjo do të thotë se në të ardhmen, nëse korçarët e shesin vlonjatin jashtë vendit, përfiton financiarisht edhe klubi gjirokastrit. Klubi juglindor është në kërkim të talenteve, një pjesë e rëndësishme kjo e strategjisë së tij, dhe Bregu duket se është goditja e parë. Zyrtarizimi pritet të bëhet pas finales së Kupës së Shqipërisë, që do të zhvillohet nesër në Elbasan. Vetë Bregu ka thënë shpesh kohët e fundit se do të marrë një vendim për të ardhmen shumë shpejt, në bashkëpunim me drejtuesit e Luftëtarit. Dëshira e tij tashmë është e qartë, duke ditur që Skënderbeu është “trampolina” më e mirë për karrierën e tij si futbollist.             

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.