Nga pistat e bujshme të merkatos, te rikthimi i Maldinit: Leonardo hap “kartat”

Gjatë konferencës për shtyp të prezantimit të Paolo Maldinit, i cili rikthehet mbas 9-vitesh në shtëpinë e tij, foli edhe Leonardo. Braziliani komenton afrimin e kapitenit legjendar, të ardhmen e Milanit dhe ndalet te shumë tema të tjera. Kaliniç është me valixhe në duar, Suso nuk preket, Milinkoviç-Saviç është një ëndërr e pamundur, ndërsa një tjetër emër i madh i Milanit të Ançelotit, në shtator i bashkohet Leonardos dhe Maldinit…

Maldini – “Me Paolon njihem prej 21-vitesh dhe në parim ai ishte gati për t’u rikthyer. Të kem Paolon sot në krah më forcon shumë, si në jetën e përditshme, ashtu edhe në punë. Është një vlerë e madhe të kemi Paolon sot këtu mes nesh. Ekzistonte mundësia të bashkoheshim tek PSG, para disa vitesh, por atje ishte një realitet tjetër. Ne tashmë e dinim se çfarë mendonim për njëri-tjetrin dhe akordi me të ishte pothuajse i menjëhershëm.”

Drejtori sportiv i munguar – “Të gjitha tratativat do i bëjmë së bashku, por na nevojitet edhe një person tjetër në krah, me të cilin duhet të kemi një harmoni të plotë. Na duhet të zgjedhim një person, i cili na shton diçka të rëndësishme. Qëndrueshmëria dhe përkushtimi janë ato që më kanë mahnitur gjithmonë nga cilësitë e Paolos. Sot jemi të përqëndruar në shumë gjëra dhe të jemi të fokusuar 100%, nuk është aspak e thjeshtë, por nuk duhet të shpërqëndrohemi dhe Paolo mund të na japë një dorë të madhe. Dëshirojmë njerëz seriozë që impenjohen dhe që dëshirojnë të qëndrojnë këtu. Linja e Paolos dihet, e shikon dhe e dallon direkt. Ai gjithmonë ka dashur të qëndrojë këtu dhe ajo çka duam të imponojmë këtu është pikërisht historia e Maldinit.”

Goditje “BIG” – “Duke llogaritur FFP (fair-play financiar), nuk mund të marrim një lojtar top, por do tentojmë një gjysëm mrekullie për ti shtuar diçka skuadrës. Kjo nuk do të thotë që do ja dalim. Operacioni me Juventus na ka dhënë shumë dhe gjithçka u krye brenda parametrave të FFP, i cili thjeshtësisht nënkupton: ti mund të shpenzosh aq sa fiton. Rritja jonë do të jetë graduale. Duhet të rrisim numrin e arkëtimeve, që të jemi në gjendje të investojmë dhe të arrijmë rezultate të rëndësishme.”

Milinkoviç-Saviç – “Lojtari është një ëndërr, jo e jona, por e shumë skuadrave. Nuk na lejohet të ëndërrojmë futbollistë të këtij kalibri. Para një viti më pyetën së cilin lojtar të Serisë A do të zgjidhja për të blerë dhe unë thashë emrin e tij. Ai ka personalitet dhe mundësi për t’u rritur edhe më shumë, por sot për sot është i parealizueshëm transferimi i tij tek Milan.”

Kaliniç – “Nikola është pothuajse një lojtar i Atletikos së Madridit. Na është dashur pak kohë, por mendoj se tratativa do ketë një fund të mirë.”

Sektori Sportiv – “Unë, Paolo dhe Gatuzo jemi pjesa e sektorit sportiv sot. Njihemi mirë dhe na mjafton një shikim për të kuptuar njëri-tjetrin. Do të jetë një trekëndësh i bukur dhe në aspektin njerëzor. Besoj se do arrijmë rezultate të mira.”

Suso – “Ai është një lojtar tepër i rëndësishëm për ne dhe i tillë do të jetë edhe në të ardhmen. Nuk ka tratativa për shitjen e tij, nuk ka oferta dhe asgjë tjetër. Suso do të vazhdojë me ne.”

Rabiot – “E ndjek prej kohësh, pasi është një lojtar i madh, por nuk kemi biseduar. Ai është një futbollist i PSG dhe nuk ka pasur asnjë kontakt për afrimin e tij.”

Kaka – “Unë e adhuroj Kakanë. Ai ka shprehur dëshirën për të mësuar nga profesioni i drejtuesit. Kaka është topi i artë i fundit i Milanit dhe do të jetë përherë i lidhur me shoqërinë tonë. Nuk e dimë akoma se si, por Riki ka shumë dëshirë të jetë afër nesh. Në shtator do të vijë në Milano, por akoma nuk kemi përcaktuar gjë. Ai ka shprehur dëshirën të jetë pjesë e jona, gratis dhe të mësojë.”

Rikthimi tek Kupat – “Unë dhe Paolo kemi 5 ‘Champions League’, së bashku. Paolo ka pesë, ndërsa unë asnjë. Objektivi ynë është ky, të rikthehemi të ngrejmë lart ndonjë kupë tjetër për Paolon, por na nevojitet qetësi. Kjo është në ADN e klubit, por mbas cikleve fitues, është normale që do të ketë ndonjë fazë stopimi. ‘Champions League’ e fundit e kemi fituar para 11 vitesh, por edhe Reali i Madridit kaloi shumë vite pa fituar në Europë. Gjithashtu Barcelona, vetëm mbas viteve 2000 filloi të fitonte. Na nevojitet durim, por në hisotorinë e Milanit ka patur momente të mëdha lavdie që janë të destinuar për t’u rikthyer.”

Sezoni 2009-2010 – “Nuk jam më trajner, por atë vit kishim Ronaldinjon dhe me të në ekip kishim mundësinë për të luajtur një futboll spektakolar. Ai na çoi të shpiknim diçka për ti dhënë motivim një grupi, që kishte humbur Maldinin dhe Ançelotin. Ronaldinjo ishte një stimul i madh. Galiani e quante skemën tonë si një: ‘4-2-fantazi’ dhe ekipi tregoi një futboll të mirë gjatë atij viti.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *