Merkato me “silenciator” te Tërbuni, Osmanollaj afrimi i fundit

Tërbuni e nisi merkaton fillimisht me rinovimet e disa titullarëve të sezonit të kaluar. Doda, Hithi, Saliaj, Metani, Myrta, Taku, Isaraj, Mezini e Zagani nuk hezituan për rikonfirmim, ndërsa Dejvis Çangu, Realf Zhivanaj dhe Klaudio Hyseni ishin firmat e para te skuadra pukjane për sezonin e ri. Për SportEkspres.com, trajneri i pukjanëve Oltjon Kërnaja, deklaron se Tërbuni po lëviz me qetësi në këtë merkato.

“Ne po lëvizim në qetësi gjatë kësaj merkatoje, duke parë mundësitë tona, për të qenë edhe më konkretë për nevojat që skuadra ka. Përveç afrimeve që janë bërë gjatë muajit qershor, me Hysenin, Çangun e Zhivanaj, të martën e kemi mbyllur edhe me mesfushorin-sulmues nga Prizreni, Granit Osmanollaj. Ai vjen nga Liria e Prizrenit, por në sezonin 2017-2018 ka qenë pjesë e Tërbunit”, deklaroi fillimisht trajneri Kërnaja.

Tekniku tropojan thekson se merkato nuk është mbyllur dhe deri në datën 15 korrik Tërbuni do ketë të tjera përforcime. “Nuk e mendojmë të mbyllur merkaton, edhe pse në ekip kemi lojtarë shumë cilësorë. Para datës 15 korrik, që do të nisim përgatitjet, ne do të bëjmë edhe katër përforcime të tjera. Duke e kompletuar skuadrën, do nisim disa ditë përgatitje në Tiranë, më pas kampingu stërvitor do jetë në Pukë”.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *