Lum Rexhepi flet si “dem i kuq”: Jam i befasuar, Partizani për titull!

“Është një klub shumë profesionist, ka traditë dhe histori të madhe. Kur mora vesh për interesimin e Partizanit, u interesova dhe unë dhe e shoh si një klub ku mund të hedh një hap përpara në karrierë dhe të përmirësohem si lojtar”, ishin fjalët e para të Lum Rexhepit si lojtar i Partizanit. Lojtari polivalent u shfaq sot para mediave dhe foli për shumë tema.

Sa i takon Superiores, ai shtoi: “E njoh pak. Pas Euro 2016 e kam ndjekur më shumë, di që ka lëvizje në liga të mëdha të Europës dhe afrime cilësore nga jashtë. Është një mundësi e mirë për mua”. Përshtatja është një element i rëndësishëm, që do kohën e vet.

“Mbërrita që në fazën përgatitore dhe për fat tashmë e njoh ekipin. Përshtatja ka qenë e shpejtë, tani jam i përqendruar te ndeshja ndaj Skënderbeut”, tha Rexhepi, i cili u ngacmua më pas edhe për titullin kampion.

“Për mua ndeshja më e rëndësishme është ndeshja e radhës, ajo me Skënderbeun. Nuk e di çfarë do ndodhë deri në fund, të shohim”, shtoi qendërmbrojtësi i Kosovës, ndërkohë që më pas ka fjalë të mira për lojtarët e të kuqve.

“E dija që ishte ekip i mirë, por disa lojtarë më kanë befasuar me cilësitë e tyre. I kemi të gjitha mundësitë të shpallemi kampionë. Nuk dua të hyj në emra lojtarësh të veçantë, por kemi lojtarë shumë të mirë. Trashi e Telushi janë lojtarë shumë të mirë për këtë ligë dhe mund të luajnë jashtë Shqipërisë. Konkurrenca? Unë do të jap maksimumin në çdo stërvitje, pastaj e ka në dorë trajneri se kush luan. Nuk e njihja para se të vija te Partizani, por kam kuptuar se ai hedh në fushë ata që e meritojnë”, përfundoi Lum Rexhepi fjalën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *