Licencimi i Tiranës, Refik Halili bën paralajmërimin e madh

0

Refik Halili shpreson shumë që si ky sezon Tirana të mos ketë më. Presidenti i bardhebluve, pas ndeshjes së fituar me Flamurtarin, është ndalur të flasë në lidhje me sezonin aktual dhe sigurisht nuk ndihet mirë që skuadra kryeqytetase luftoi për mbijetesën. Sipas tij, bardheblutë kishin ndërtuar një ekip për të luftuar për më lart.

“Sot luftonim me të vërtetë për mbijetesën, siç kemi bërë dy ndeshjet e fundit. Objektivi nuk ka qenë ky. Kur e ndërtuam ekipin ishte për objektiva siç i ka hije gjithmonë klubit të Tiranës. Fati, gabimet, loja jo e mirë ndonjëherë, ndoshta edhe unë si drejtues kam pjesën time të fajit, t’i përmendim të gjitha, kanë bërë që të mos shkojmë më lart. Shpresoj që kjo që ndodhi këtë vit të mos ndodhë më dhe mos ta shohim veten në këtë pozicion”, u shpreh Halili për mediat.

LICENCIMI – Tirana është kualifikuar në finale të Kupës dhe të dielën diskuton trofeun me Kukësin. Sikurse dihet, fituesi ka të drejtën të marrë pjesë në kualifikueset e Europa League. Gjithsesi nuk mjafton trofeu, pasi duhet marrë edhe licencimi nga UEFA. I pyetur në lidhje me këtë çështje, Halili tha se do të mbajë një konferencë dhe do sqarojë gjithçka. Një mesazh i koduar edhe për FSHF-në, në dukje edhe një “jo” e marrë për licencimin. Gjithsesi duhet pritur.

“Shpresoj që të flasim në ditët në vazhdim për licencimin. Them që do ju jap një përgjigje dhe do ta bëj më të zgjeruar. E kam në plan dhe jam shumë i bindur të flas. Gjithsesi dua të bëj një intervistë ku të jenë shumë gazetarë, të jenë të gjitha televizionet. Mendoj se do kenë interes, pasi kam shumë gjëra për të thënë në lidhje me licencimin. E rëndësishme është ta zhvillojmë garën njëlloj dhe them që gjithë drejtuesit e federatës, duke kapur të gjithë komisionet që quhen në thonjëza të pavarura, të gjitha ato komisione janë të detyruara të na respektojnë e të vihen përballë nesh dhe të flasin. Më shumë gjëra do ju them në ditët në vijim”.

KUPA – Tirana ka shpenzuar goxha dhe trofeu do ishte edhe një shpërblim për klubin. Gjithsesi Halili kërkon nga ekipi vetëm të luajë futboll. “Çdo ekip lufton për të shkuar në kupat e Europës. Unë nuk merrem me pjesën e shpenzimit. Do jem shumë i qetë dhe dua të përmbyllim çdo detyrim ndaj çdo lojtari. Kemi kaluar një situata shumë të vështirë në disa vite, kemi shlyer shumë borxhe. Këtu futet edhe pjesa e licencimit. Çfarë duhet të bëjë më shumë unë? Janë likuiduar 1.7 miliardë lekë, është shumë marramendëse. Më vjen keq që flitet. Nuk kemi asnjë gjyq sportiv, asnjë gjë. Megjithatë do flasim. Nuk duhet të qajmë ato qe kemi paguar. Sa i takon Kupën do respektojmë garën. Shpresoj që çunat të luajnë futboll, si tani në fund. Jam krenar që nuk kemi bërë aleanca dhe nuk kemi hyrë në marrëveshje me dikë”.

DENIS LALA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.