Zyrtarizime te Korabi, talente dhe përforcim i boshtit të skuadrës

Edhe pse merkatoja e dimrit është mbyllur më 31 janar 2019, te Korabi vetëm dje janë bërë prezantimet zyrtare të lojtarëve që janë afruar te kjo skuadër për vazhdimësinë e këtij sezoni. Nisur nga pozicionet ku luajnë futbollistët e afruar, duket qartë se skuadra e drejtuar nga kavajasi Dorian Bubeqi ka menduar që ta ketë më të konsoliduar boshtin e skuadrës, nga porta, në mbrojtje emesfushë.

Së pari është arritur marrëveshja për 6 muaj me portierin Jurgen Mehidri, i cili në 14 ndeshjet e para të këtij sezoni luajti me fanellën e Vorës. Nga skuadra Partizani B te Korabi ka kaluar mbrojtësi Franci Lala vetëm për 6 muaj, ndërsa nga Tirana B ka kaluar mesfushori Sokol Lleshi, i cili ka nënshkruar për 2 vite me Korabin.

I veçantë ka qenë dje për skuadrën dibrane edhe nënshkrimi me 17-vjeçarin Ergi Milla, i cili që në debutimin e tij me Korabin U19 e nisi me gol. I riu nga Tirana luan si mesfushor dhe stërvitet me ekipin e parë të Tiranës në Superiore, ndërkohë që klubi dhe stafi teknik e kanë vendosur Millën në radhët e “projektit” që po punojnë për të ardhmen e Korabit.

Të gjithë këtyre futbollistëve të afruar klubi dibran ju uron mirëseardhjen dhe ju uron suksese. Korabi merr pjesë në Grupin A të Kategorisë së Parë dhe pas 15 javëve renditet në vendin e katërt me 24 pikë, me pikë të barabarta me Dinamon e vendit të tretë. Në javën e 16-të Korabi do të luajë të shtunën në transfertë ndaj Burrelit, ndeshje që fillon në orën 14:00.

AGRON KAJA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *