“Kërcënimet” në prag të derbit, “sms” sulmuesish

E premte, ora 19:45. “Selman Stërmasi” pret derbin e kryeqytetit. Tirana dhe Partizani kërkojnë tre pikët. Dëshira është e njëjtë për triumf nga të dy krahët, ndërkohë që sulmuesit janë ata që kanë dëshirën edhe për të qenë vendimtar.

Derbin e fundit e vendosi një shkodran, Xhevahir Sukaj. Atë ditë u tregoi të gjithëve edhe barkun, pasi mbipesha ishte një temë diskutimi shpesh për shkodranin. Tanimë të kuqtë kanë dy shkodranë të tjerë në ekip.

Rubin Hebaj, ende nuk ka gjetur rrugën e rrjetës në kampionat. Dje realizoi të parin në Kupë kundër Tërbunit dhe do kërkojë të mposhtë edhe Ilion Likën në derbi. Të njëjtën gjë do tentojë të bëjë edhe Erald Ccinari.

Shkodrani në Kupa ka shënuar tre herë dhe pret momentin e tij në kampionat. Para derbit një sinjal e dha edhe Jurgen Bardhi. Shumë aktiv ndaj Flamurtarit, teksa dha asistin e golit të parë. Ndaj Tërbunit shënoi edhe ai.

Por edhe nga ana tjetër, te Tirana, sulmuesit kanë shënuar katër gola ndaj Ilirisë në Kupë. Junus Sentamu ishte autor i tre golave kundër fushë-krujasve. Veç tij u zhbllokua edhe Majkëll Ngo, i cili prej muajsh nuk luante 90 minuta. Të dy duan shumë që të shënojnë edhe në derbi, por më së shumti janë tifozët që kërkojnë triumfin që mungon prej shkurtit të vitit 2014.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *