Kamza për triumfin e parë, Teuta për kreun

0

Skuadrat synojnë suksesin, për të justifikuar paraqitjet e mira deri më tani, por dhe premtuar që do të jenë akoma dhe më konkurruese në vijim

Jurgen Zela

Sezoni sapo ka nisur dhe skuadrat ndeshje pas ndeshjeje po shfaqin fizionominë e vet. Kamza dhe Teuta edhe pse me diferenca në pikë, i kanë bërë një nisje të kënaqshme sezonit. Debutuesit kanë kaluar “sikletin” e ndeshjeve me të ashtuquajtura të mëdha, teksa u paraqitën mjaft mirë në Kukës, por nuk ia dolën që të marrin pikë, ndërsa përballë Skënderbeut rrëmbyen një pikë në shtëpi. Në krahun tjetër Teuta ka triumfuar në dy nga tre takimet e para. Për të dyja këto skuadra java e tretë nuk solli rezultatet që prisnin, me Kamzën që barazoi në Lushnje, ndërsa Teuta u mund në shtëpi nga Flamurtari. E diela e javës së katërt bën që e gjithë vëmendja të jetë te kjo ndeshje, duke qenë e vetmja në këtë ditë. Si tekniku Ramadan Ndreu dhe Gugash Magani presin që të kenë skuadrat gati për këtë sfidë, teksa nuk kanë pasur probleme me mungesat. Këto dy skuadra nuk ndeshen në kampionat që prej prillit të 2012, por që nga ajo kohë shumë gjëra duken ndryshe. Pritshmëritë për këtë sfidë janë të mëdha, me të dyja skuadrat që kanë si synim të bëjnë surprizën në këtë edicion. Në një kampionat ku diferencat janë shumë të vogla, një takim i tillë premton akoma më shumë spektakël, duke marrë parasysh që dhe objektivi i këtyre skuadrave është i njëjtë. Si Magani ashtu dhe Ndreu i kanë ndërtuar vetë skuadrat dhe tashmë që u bënë disa ndeshje është momenti që skuadrat të tregojnë vlerat e tyre. Rezultate e fundit i kanë zgjuar dhe nuk sigurisht duke njohur dhe filozofinë e dy timonierëve, të dyja ekipet do të luajnë për të marrë pikët e plota. Takimi i parë sezonal mes këtyre dy skuadrave nga gjashtë që do të jenë këtë edicion, pasi vetëm pas pak javësh Kamza do të presë sërish Teutën, por për llogari të Kupës së Shqipërisë. Në formacionet përkatëse nuk pritet të ketë shumë ndryshime, por ndonjë surprizë e minutave të fundit nuk përjashtohet. Kamza synon fitoren e parë në këtë edicion, ndërsa Teuta të tretën, me synimin për të mbajtur hapin e pretendentëve. Kamzalinjtë me vetëm dy pikë synojnë që të koleksionojnë sa më parë pikët e mbijetesës, për të parë më pas për diçka më shumë, pasi me lojën e treguar në këto ndeshje të para ka treguar se mund të kenë një objektiv më shumë se mbijetesa, pavarësisht se kjo e fundit mbetet primare. Një Kamza-Teuta në një mesditë të diele, në të tilla kushte premton shumë!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here