Kamza, jo vetëm për të marrë pjesë

0

Frika se mund të rikthehesh në Superiore vetëm sa për të marrë pjesë dhe se në fund do hipësh sërish në një ashensor, duke zbritur një kategori më poshtë, ka kapluar opinionin publik dy javë më parë në Kamëz, por klubi tregoi se e ka marrë shumë seriozisht aventurën Superiore dhe po bën gjithçka ashtu si duhet për té ndërtuar një skuadër konkurruese dhe jo vetëm për mbijetesën.
Mbi të gjitha, klubi e ka vlerësuar maksimalisht këtë aventurë duke ribërë nga e para fushën, e cila do jetë gati nga java e parë. Ndërkohë, buxheti për rrogat ka pësuar një rritje të ndjeshme. Sezonin e shkuar u paguan rreth 200 milionë lekë të vjetra rroga, ndërsa këtë vit kjo shifër mund të shkojë në 600. Përforcimet kanë qenë nga porta gjer në sulm dhe janë afruar lojtarë me përvojë të konsiderueshme në futbollin shqiptar.
Kamza sezonin e shkuar dominoi plotësisht Kategorinë e Parë, duke arritur madje një rekord prej 14 fitoresh rresht, ndërkohë që më pas fitoi dhe finalen kundër Lushnjës, finale prestigji, pasi të dy ekipet ishin të kualifikuara.
Në qendër të projektit janë dy emra, presidenti Qarri dhe trajneri Ndreu, ndërkohë që Bashkia është përgjigjur me infrastrukturë dhe një buxhet të konsiderueshëm. Javën e parë luajnë në Kukës, javën e dytë presin Skënderbeun. A mund të jenë ata një surprizë?

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here