Futboll, kongrese dhe koncerte, stadiumi i Tiranës bëhet rentabël

0

 Investimi i bërë në “Selman Stërmasi” po kthehet mbrapsht dhe po shërben si një burim i rëndësishëm financiar për klubin. Duket se gjithçka ia ka vlejtur

Gjergji Stefa

Tirana gjatë këtyre viteve mund të ketë bërë shumë gabime – në fakt ka bërë – por ka edhe gjëra të mira që tanimë kanë nisur të japin frytet e veta. Stadiumi “Selman Stërmasi” po tregon që ka qenë një investim që ia ka vlejtur , pasi është kthyer në një burim të ardhurash për klubin bardheblu. Veç ndeshjeve të Tiranës, aty janë zhvilluar edhe aktivitete të ndryshme, ndërkohë që kanë luajtur edhe Partizani, Korabi dhe shumë ndeshje të Kombëtareve të moshave, si për meshkujt, ashtu edhe për femrat. Gjithashtu edhe Kombëtarja e madhe është stërvitur aty dhe të gjitha këto përkthehen në të ardhura.

TË ARDHURAT NGA NDESHJET

Veç shitjes së biletave nga ndeshjet e tyre, bardheblutë kanë përfituar financiarisht edhe nga Partizani, që ka derdhur në klubin e Tiranës 60 milionë lekë për ndeshjet e zhvilluara sezonin e fundit. Miliona të tjera u kanë kaluar nga Korabi që luajti disa ndeshje në “Selman Stërmasi”, ndërkohë që 80 milionë lekë Tirana i ka përfituar nga Federata Shqiptare e Futbollit nga ndeshjet që kanë zhvilluar kombëtaret e moshave. Duke u shtuar këtyre edhe 100 milionët e biletave apo miliona të tjera nga reklamat në stadium, janë rreth 300 milionë të ardhura, një shifër goxha e mirë, sidomos për një Tiranë që sportivisht prej disa vitesh nuk është ajo që janë mësuar ta shohin tifozët e tyre, madje sezoni i fundit ishte pika më e ulët në historinë e klubit bardheblu, pasi për herë të parë u rrëzuan nga Superiorja.

KONGRESET

“Selman Stërmasi” nuk është thjesht një stadium, aty ku ka edhe biznese, prej të cilave arkëtohen nga klubi të ardhura, ashtu siç mund të bëhen edhe aktivitet të ndryshme. I fundit do të zhvillohet pas disa ditësh, nga data 21-23 korrik. Është një kongres i Dëshmitarëve të Jehovait dhe Tirana do të përfitojë financiarisht. Presidenti Halili ka pranuar kërkesën dhe ka hapur dyert e stadiumit, duke vënë në jetë idenë e tij se klubi është biznes dhe duhen arkëtuar sa më shumë para. Nëse kjo ndodh të gjithë e kanë të qartë se edhe mundësitë për të regjistruar suksese sportive, ato që u interesojnë tifozëve, janë shumë më të mëdha.

PLANI I KONCERTEVE

Kudo në botë stadiumet kthehet në skena të mëdha për artistë të shquar dhe nëse kjo ndodh edhe me “Selman Stërmasin” askush nuk do e paragjykojë. Ka ndodhur edhe më parë – në vitin 2001 grupi i famshëm Scorpions zhvilloi një koncert në këtë stadium – dhe me gjasa do të ndodhë sërish, pasi po planifikohet që edhe koncerte të Bashkisë Tiranë të zhvillohen aty. Sigurisht kundrejt pagesës dhe kjo është edhe një dashamirësi e institucionit për t’i çuar klubit edhe disa të ardhura të tjera. E ardhmja sa duket do t’i shtojë të ardhurat në klub dhe kjo është rruga e duhur.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image