EPISODET | Arbitri gaboi gjithçka, Telushi i ndërhyn në sparkatë

Partizani fitoi pa bërë polemika. Luftëtari u mposht, duke parashtruar ndonjë pretendim, por gjithashtu pa kontestime të zhurmshme. Megjithatë, fakti është që arbitri Kreshnik Cjapi gaboi gjithçka në ndeshjen e luajtur në “Selman Stërmasti”. Episode vendimtare, kundër të dyja skuadrave, që mund të ndikonin në ecurinë e ndeshjes.

Duke nisur nga goli i avantazhit të Partizanit në mintën e 21-të. Pas harkimit nga goditje këndi, Bardhi shtyu në mënyrë të dukshme portierin Ruçi, duke e mos e lejuar të kontrollonte apo të largonte si duhej topin, që shkoi te Mensah, i cili shënoi. Pavarësisht pretendimeve të gjirokastritëve, për arbitrin Cjapi gjithçka ishte e rregullt, në një kohë kur goli i Partizanit duhej anuluar dhe loja të vazhdonte me goditje dënimi për Luftëtarin.

Në minutën e 50-të, kur rezultati ishte në barazim 1-1, gjyqtari vazhdoi lojën edhe pas pretendimeve të vendasve për penallti, pasi harkimi i Bardhit u prek me dorë nga Hoxha. Edhe pse aksioni ishte në lëvizje, dora e mbrojtësit ishte shumë larg trupit, duke i ndryshuar edhe drejtimin topit. Moment i diskutueshëm dhe që lë shumë hapësirë për interpretime, pasi ka mjaft pro dhe kundër.

Edhe në të vetmin moment kur mori vendimin e duhur, duke akorduar 11-metërsh për Partizanin, pas ndërhyrjes së ashpër të Liçajt ndaj Malës, arbitri Cjapi sërish gaboi. Për atë ndërhyrje direkt te lojtari, duke ndërprerë një aksion të rrezikshëm, mbrojtësi i Luftëtarit duhej të ndëshkohej me karton të verdhë. Ai do të ishte kartoni i dytë për Liçajn, i cili do të bënte që gjirokastritët të luanin në 25 minutat e fundit të ndeshjes në inferioritet numerik.

Gjithashtu goli i realizuar me penallti nga Telushi në minutën e 55-të duhej anuluar dhe ekzekutimi duhej të përsëritej, pasi lojtarët hynë në zonë. Madje, në momentin e goditjes, Rapa ishte fare pranë mesfushorit të kuq, ndërsa në zonë kishin hyrë edhe dy lojtarë të tjerë të Luftëtarit dhe një i Partizanit.

Në fundin e ndeshjes, Bruno Telushi i ndërhyri arbitrit, duke e shembur në tokë. Gjithçka ishte natyrisht e paqëllimshme, me mesfushorin që po mundohej të kapte topin dhe “bilbili” Cjapi u ndodh në rezen e tij, megjithatë sparkata ndaj gjyqtarit ishte mëse e merituar, për të gjitha gabimet e bëra në ndeshjen Partizani-Luftëtari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *