Dosti: Derbi bukuria e Superiores, Partizanit i them diçka!

Partizani fitoi titullin për herë të fundit në vitin 1993 dhe golashënues i “demave të kuq” ishte sulmuesi Edmond Dosti. Atë sezon “Mokja” fitoi “Këpucën e Artë”, ndërkohë që vazhdon ta ndjekë me interes skuadrën kryeqytetase. Ai mbetet një tifoz i kuq, por sigurisht një vend të veçantë në zemrën e tij ka edhe Laçi ku shpërtheu.

Ka mbërritur në kryeqytet dhe do të jetë në derbi sot. Sigurisht e ka të vështirë të mos flasë për këtë ndeshje që mund të rikthejë titullin kampin në kryeqytet. “Duke fituar kampionatin dhe duke fituar edhe këtë derbi, është diçka e jashtëzakonshme”, thotë fillimisht Dosti.

Më tej, në fjalën e tij për TV Klan, ai thekson se nuk ka rëndësi shumë rezultati. Gjithashtu ai ka edhe një porosi: “Derbi fitohet edhe 1-0, nuk është e thënë të triumfohet me shumë gola. Partizani duhet ta nisë ndeshjen i qetë dhe të jetë i disiplinuar”.

Padyshim vlerësimet për trajnerin Skënder Gega janë maksimale: “Profesor Gega ka futur frymën e disiplinës, frymën e grupit dhe kjo ka qenë gjatë gjithë sezonit forca e Partizanit”. Dosti ndërkohë është në krahun e atyre që Tiranën e duan në Superiore, por nga ana tjetër kërkon që Partizani të tregohet i ndershëm edhe ndaj kampionatit.

“Tirana i duhet futbollit shqiptar, derbi i duhet këtij futboll. Pa të nuk ka futboll të bukur. Gjithsesi Partizani nuk duhet të tolerojë, pavarësisht se kë ka përballë. Duhet të jetë ‘fair-play’ edhe ndaj kampionatit”, përfundoi Dosti deklaratën e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *