Dinamo “adoleshentësh”, Allmuça pret përforcime

0

Dinamo u mund 2-1 dje në miqësore nga Kukësi dhe të paktën rezultati nuk është i keq, sepse përballë ishte një ekip dukshëm më cilësor. Dinamo luajti me një ekip me moshë mesatare mjaft të re, që nuk premton asgjë të madhe edhe për sezonin e ri, ku “Blutë” sërish futen pa pretendime serioze.

Gjithsesi, trajneri Igli Allmuça shpreson te disa përforcime cilësore: “Mora sinjale mjaft pozitive nga skuadra, sidomos në pjesën e parë që u mbyll në barazim 0-0. Duke pasur parasysh lodhjen, menduam të kryenim disa zëvendësime, me lojtarë që janë pjesë e ekipit, apo që kanë ardhur për tu provuar. Mendoj që kemi zhvilluar një ndeshje shumë të mirë. Kemi një skuadër me 19-20-vjeçarë dhe nëse do të bëjmë tre katër përforcime me lojtarë cilësorë, që nuk kanë vetëm emrin, mendoj që do të bëjmë një skuadër shumë të fortë”.

Edhe Allmuça e pranon se në këtë moment Dinamo nuk luan dot për ngjitje në Superiore: “Këta të rinj janë mjaft premtues për skuadrën, por nuk mund të merren menjëherë frytet e punës. Duhet durim, pasi ne këtë vit e kemi nisur këtë projekt. Nëse do ta kishim nisur përpara dy vjetësh, vetëm me këta të rinj do të pretendonim të hynim në Superiore, por më mirë vonë se kurrë. Shpresoj që një ditë Dinamo të kthehet si Partizani dhe ta kalojë momentin e vështirë”.

Trajneri dinamovit tani mendon për miqësoren e së mërkurës kundër Tiranës, sfidë që nuk do të luhet në Kategorinë e Parë, pasi dy skuadrat janë në grupe të ndryshëm: “E kemi të mërkurën një miqësore me Tiranën. Të luanim në kampionat një derbi do të ishte më mirë, por kështu u vendos dhe për ne nuk ka problem. Besoj që këtë vit, me kalimin e disa skuadra nga grupi i jugut në atë të veriut janë balancuar disa ekipet. Besoj që të dy grupet janë bërë të fortë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here