Cake pa kontratë, e duan disa klube të Superiores

I riu i bardhebluve nën vëzhgimin e disa skuadrave. Mund të largohet në janar

Para pak ditësh Kamza doli në skenë për Klisman Caken. Futbollisti i ri i bardhebluve është në qendër të vëmendjes së merkatos në dalje të Tiranës. I riu, për momentin nuk ka kontratë me ekipin bardheblu dhe mund të largohet nga skuadra. Në lojë janë disa ekipe në Superiore, që duan futbollistin. Duke filluar nga Kamza. 18-vjeçari i cili këtë sezon është aktivizuar vetëm në dy ndeshje me kryeqytetasit mund të ndryshojë ambient, nëse i premtohen më shumë minuta. Kamza ka pak alternativa në qendër të mbrojtjes dhe Cake shihet jo vetëm si një lojtar që mund të jetë i dobishëm, por dhe me perspektivë për të ardhmen.

Siç mësohet kanë nisur kontaktet e para mes palëve, por mbetet për t’u parë nëse do të finalizohet ky transferim, edhe pse është ende herët, pasi merkato e janarit do edhe një muaj që të hapet. Po kështu edhe ekipe të Kategorisë Superiore dhe të Parë janë të interesuara për lojtarin e ri që në dy ndeshje, para sfidës me Vllazninë, ka luajtur titullar për shkak të mungesës së Marvin Turtullit. Gjasat janë që lojtari të ikë në janar. Cake u aktivizua dhe sezonin e shkuar në 9 takime me Tiranën dhe tashmë synon që të ketë më shumë hapësira, ndaj dhe dëshira e tij është një vend titullari afër ose larg Tiranës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *