Bushiç: Merkato me vlera, afrimet janë cilësore

0

Kapiteni i Flamurtarit i bën një rezyme pjesës së parë të sezonit dhe flet për të ardhmen. “Mendoj se klubi ka vepruar mirë në merkato dhe afrimet e forcojnë ekipin”

Elton Nika

Gjashtë gola në pjesën e parë të kampionatit, por pati edhe një mungesë për shkak dëmtimi. Gjithsesi kapiteni Tomislav Bushiç tashmë është rikthyer bindshëm, duke kërkuar të bëjnë sërish “zanatin” e tij. Realizoi dy herë në testin përballë të rinjve, duke treguar se mbetet pikërisht ai lojtar që dëshirojnë të gjithë në Vlorë. Dëmtimi duket se për kroatin është lënë totalisht pas dhe pritet të jetë edhe gjatë pjesës së dytë të sezonit pika e referimit në majën e sulmit të Flamurtarit. Në një prononcim për gazetën, kroati vlerëson afrimet e kryera deri më tani në skuadër. “Kemi zhvilluar një pjesë të mirë të parë të sezonit dhe ky është realitet. Pavarësisht faktit se është thënë shumë herë, më duhet ta përmend sërish se na mungojnë pikë, që do të na pozicionin më afër kreut të renditjes. Por nuk duhet që ajo çfarë kemi lënë pas të na pengojë në punën tonë, apo të shohim me keqardhje faktin sa jemi ndëshkuar pa të drejtë. Ajo çfarë ka ndodhur në pjesën e parë të sezonit duhet të na shërbejë për të qenë më të fortë. Vlen që të shohim se kemi bërë mjaft mirë si skuadër dhe duhet të vijojmë pikërisht në këtë rrugë”, deklaron Bushiç, i cili flet edhe për paraqitjen në planin individual. “Për fat të keq, sa më përket nga ana personale, nuk arrita që në ndeshjet e fundit të isha në maksimumin tim. Humba madje dhe dy ndeshjet e fundit, çka më bëri të vuaj. Tashmë jam rikthyer plotësisht dhe dalëngadalë po arrij aty ku duhet, pasi në këtë moment diçka e tillë nuk mund të thuhet, pra nuk jam në gjendjen optimale, pavarësisht se dëmtimi ka kaluar. Gjithsesi kemi ende kohë përpara, që jo vetëm unë, por të gjithë së bashku të vijojmë të punojmë mjaft mirë dhe të jemi në gjendjen optimale kur të nisë kampionati”, shton sulmuesi, që është edhe një lider në skuadrën vlonjate.

FAZA PËRGATITORE DHE MERKATO
Bushiç flet edhe për përgatitjet në Turqi, por mbi të gjitha për afrimet e bëra në merkato, që sipas kapitenit janë mjaft cilësorë dhe do e ndihmojnë Flamurtarin në pjesën e dytë të sezonit futbollistik. Sa i takon objektivave, ndeshja e radhës mbetet përgjigja dhe Bushiç nuk del nga linja e të tjerëve në kampin vlonjat. “Jemi duke zhvilluar një periudhë mjaft intensive stërvitore. Kushtet janë padyshim nga më të mirat, ashtu si edhe një vit më parë, por tashmë duhet të mendojmë vetëm punën dhe të tregojmë se çfarë kemi arritur gjatë ndeshjeve miqësore. Mendoj se skuadra është plotësuar mjaft mirë dhe kanë ardhur lojtarë cilësorë, që padyshim do ta rrisin konkurrencën në skuadër, por edhe cilësinë e lojës. Mendoj se klubi ka vepruar mirë në merkato, duke afruar lojtarë mjaft të mirë dhe kjo do ta na ndihmojë në pjesën e dytë të sezonit. Presim që gjërat të jenë edhe më të vështira në pjesën e dytë të kampionatit, por në mes është edhe Kupa, ndaj duhet të shkojmë sa më larg në të dyja kompeticionet. Ky Flamurtar i ka të gjitha mundësitë. Kampionatin e nisim me ndeshje shumë të vështira, luajmë kundër Partizanit, Kukësit dhe Skënderbeu, por kjo skuadër e ka grupin dhe cilësinë për të bërë më të mirën. Objektivi? Të vijojmë të mendojmë ndeshje pas ndeshje, por në këtë moment të mendojmë për përgatitjet”, përfundon Bushiç deklaratën e tij.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.