Bomba e FIFA-s: Çelsit i bllokohet merkatoja!

FIFA ka dënuar Çelsin dhe Federatën Angleze të Futbollit “për shkelje të rregullores së transferimeve ndërkombëtare dhe regjistrim të lojtarëve nën moshën 18 vjeç“.

Çelsi është dënuar të mos blejë asnjë futbollist në dy dritaret e ardhshme të merkatos, si dhe është gjobitur me 400.000 sterlina, ndërsa Federata Angleze është gjobitur me 391.000 sterlina.

Muajin e shkuar The Guardian publikoi lajmin se FIFA po hetonte për më shumë se 100 futbollistë minorenë të transferuar në mënyrë të paligjshme te Çelsi dhe tashmë FIFA ka marrë vendimin, duke i bllokuar merkaton klubit londinez deri në verën e vitit 2020.

Në njoftimin e saj, FIFA saktëson se Çelsi ka shkelur rregulloren në 29 raste, ndaj është marrë vendimi drastik, ndërkohë që Çelsi ka kohë tre muaj për të apeluar në FIFA, para se të kalohet në CAS, aty ku gjithsesi Çelsi ka shumë pak shanse, sepse në të shkuarën asnjë klub i dënuar nuk ka fituar. Shpresa e madhe e Çelsit është që gjithçka të zvarritet sa më gjatë, duke bërë të mundur që të operojë në merkaton verore.

Nëse dënimi konfirmohet në çdo shkallë, Çelsi nuk blen dot as Gonzalo Higuain, por gjithsesi argjentinasi mund të qëndrojë në huazim në Londër edhe për sezonin e ardhshëm, pasi kjo parashikohet në kontratën e firmosur në janar dhe duket se është bërë enkas, duke parashikuar dënimin nga FIFA. Nga ana tjetër, shitja e mundshme e Eden Hazard me shumë gjasa do të bllokohet, për faktin se Çelsi nuk ka më mundësi ta zëvendësojë belgun, edhe pse ka blerë Pulisic nga Dortmundi, transferimi i të cilit nuk do të bllokohet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *