Fiorentina kërkonte një sulmues krahu dhe e ka gjetur atë. Skuadra vjollcë ka arritur marrëveshjen me Evertonin për të huazuar me të drejtë blerje belgun Kevin Mirajas. Ka qenë vetë klubi italian që e ka njoftuar diçka të tillë.
Futbollisti 30-vjeçar në janar iu bashkua grekëve të Olimpiakosit dhe aty luajti rregullisht, teksa numëroi 13 ndeshje si titullar. Gjithashtu ai realizoi dy gola. Me anglezët Mirajas pat shkëlqyer për disa sezone radhazi dhe ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Belgjikës.
Në të shkuarën Mirajas ka luajtur edhe në Francë, ku ka veshur fanellën e Sant Etienit dhe Lilës. Pritet që sulmuesi belg në ditët në vijim të mbërrijë në Firence për të kryer vizitat mjekësore dhe më pas do të prezantohet.
Në këtë mënyrë me shumë mundësi pista Arbër Zeneli mund të konsiderohet e rënë. Fiorentina është lakuar si një nga klubet e interesuara për sulmuesin anësor të Herenvenit dhe Kosovës. Ish-kampioni i Europës me Suedinë me shumë mundësi do të mbetet në Holandë edhe këtë sezon.