Kthimi i Zinedin Zidan në stolin e Real Madridit i befasoi të gjithë. Francezi nuk mund të refuzonte Florentino Perezin në një moment të vështirë dhe u kthye për të zgjidhur krizën që ka përfshirë ekipin.
Ardhja e tij mund të ndryshojë shumë gjëra, sidomos për treshen Marselo, Isko dhe Bejl. Të tre janë pranë largimit, por ulja e Zidanit në stol mund t’i ndryshojë gjërat, raportet, dëshirat dhe të ardhmen e tyre.
Marselo po kalon një sezon të vështirë. Braziliani ka luajtur vetëm 25 ndeshje gjatë këtij sezoni, duke shënuar 3 gola dhe dhuruar 4 asiste. Ai është pranë kalimit te Juventusi në fund të sezonit, aty ku do të bashkohej me Kristiano Ronaldon.
Megjithatë, siç raporton “A Bola Brasil”, Zidan dëshiron që 30-vjeçari të qëndrojë në Madrid. Trajneri do të ketë një takim privat gjatë kësaj jave, aty ku do të kuptojë qëllimet e lojtarit. Nëse Zidan arrin ta bindë mbrojtësin e majtë për të qëndruar, atëherë do të vijë rinovimi i kontratës së lojtarit. Nëse nuk ndodh, Marselo do të përgatitej për të provuar emocionet e Serie A në sezonin e ardhshëm.