Dëmtimi i Huan Zhezus nuk është i rëndë dhe mbrojtësi nuk do të përfundojë në operacion. Një lajm i mirë për Romën, ndërsa braziliani do të kthehet pas tre javësh. Klubi verdhekuq dëshiron më çdo kusht kualifikimin në Champions Ligë dhe Di Françesko do të punojë deri në fund të sezonit me këtë grup lojtarësh.
Por, vera mund të sjellë një revolucion në ekipin roman. Tre ndër lojtarët më të mirë pëlqehen në Angli dhe kanë oferta nga klube të Premier Ligës. I pari është Xhengiz Ynder, për shërbimet e të cilit ka një garë të fortë.
Anësori ofensiv ka shënuar 14 gola dhe ka dhuruar 11 asiste në 56 ndeshje me Romën. Për 21-vjeçarin interesohen Arsenali, Totenhemi dhe Mançester Junajtid, pa harruar Bajernin e Mynihut që e monitoron prej kohësh. Roma kërkon të paktën 60 milionë euro për kartonin e turkut, ndërsa sulmi anglez do të nisë në fund të sezonit.
Edin Xheko është një tjetër lojtar që pëlqehet në ishull. Uest Hemi po kërkon një zëvendësues të Arnautoviç dhe trajneri Pelegrini ka zgjedhur gjigantin boshnjak, me të cilin ka punuar te Mançester Siti, ndërsa në garë për shërbimet e tij është futur dhe Evertoni.
Në fund dhe Kostas Manolas. Greku i mbrojtjes ka një klauzolë largimi prej 36 milionë eurosh dhe Çelsi është gati ta paguajë shumë për të transferuar në “Stamford Bridge” 27-vjeçarin, por më parë duhet fituar konkurrenca me “Djajtë e Kuq” të Solskjaerit.