Sot në Roma Cavalieri Hotel do të zhvillohet Kongresi i Zakonshëm i UEFA-s, parlamenti i përvitshëm i futbollit Europian.
UEFA dhe 55 federatat anëtare do të mblidhen në kryeqytetin italian, ku presidenti Aleksandër Çeferin do të konfirmohet për një mandat 4-vjeçar, pas 2 vitesh e gjysmë në drejtim, kur pasoi Mishel Platini, i cili u largua për shkak të skandalit të korrupsionit.
Çeferin është tashmë kandidati i vetëm, ndaj nuk ka ndonjë interes të madh në lidhje me rizgjidhjen e tij.
Pas presidentit, do të zhvillohen zgjedhjet edhe për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ku do të zgjidhen 8 anëtarë, nga të cilët do të jetë të paktën një femër.
Pikërisht për Komitetin Ekzekutiv garon sërish presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i cili në vitet e fundit ka punuar shumë për imazhin e Federatës Shqiptare në arenën ndërkombëtare, ka krijuar jo pak lidhje e ka bërë jo pak takime, në një kohë që suksesi i kombëtares në Euro 2016 ka qenë një armë e fortë për të treguar se futbolli shqiptar e meriton të ketë një përfaqësues në UEFA, të paktën për 4 vitet e ardhshme.
Ceremonia nis paraditen e sotme, rreth orës 9.30, ndërsa do të përfundojë rreth orës 13.00.