Faza e parë e Superiores është mbyllur dhe pas nëntë javëve të para kampionat kryeson Partizani. Të kuqtë janë shquar këtë sezon edhe për mbrojtjen e fortë, teksa kanë arritur të mbyllin plot shtatë takime pa pësuar gol.
Ata kanë pësuar vetëm dy herë: në humbjen e javës së parë të kampionatit ndaj Skënderbeut, me penallti, si dhe në ndeshjen e fundit me Luftëtarin. Korçarët, në të gjitha ndeshjet e fituara nuk kanë pësuar gol. Skuadra e Shehit ia ka dalë të triumfojë në 6 takime, ndërkohë që dy të tjera i ka mbyllur në barazim 1-1.
Edhe Teuta ka bërë mirë në aspektin difensiv. Ata regjistrojnë katër fitore pa pësuar, si dhe dy takime i kanë mbyllur në barazim pa gola. Flamurtari nuk ka pësuar kryesisht me ekipet e vendeve të fundit. Vlonjatët regjistrojnë 4 fitore pa pësuar, si dhe një barazim pa gola me Teutën.
Laçi, ashtu si Skënderbeu e Partizani, ka pësuar vetëm një humbje. Por kurbinasit nga katër fitore të marra, në tre nuk kanë pësuar. Ata kanë barazuar 0-0 vetëm ndaj Partizanit. Kukësi ka mbyllur vetëm tre ndeshje pa pësuar dhe ka ndodhur në tre ndeshje të fituara.
Kamza nuk ka pësuar vetëm në dy ndeshje, në fitoret e vetme kundër Tiranës dhe Kastriotit. Këto dy ekipe, ashtu sikurse edhe Flamurtari, vetëm nga një ndeshje e kanë mbyllur pa pësuar gol. Në tetë takimet e tjera janë detyruar ta nxjerrin topin nga rrjeta.