Zeka: Nuk ka çështje “Kalaja”, shkodranët nuk ikin

Drejtori sportiv konfirmon mesfushorin si pjesë të Vllaznisë, ndërkohë që reagon për lajmet e largimit të treshes Dibra, Erkoçeviç, Hajdari

Gaspër Marku

E shtuna ka qenë dita e dytë e stërvitjes për skuadrën kuqeblu në këtë start të procesit të përgatitjeve për sezonin futbollistik 2017-2018. Ashtu si edhe një ditë më parë, seanca stërvitore është zhvilluar në fushën e stadiumit “Reshit Rusi”. Në ndryshim nga një ditë më parë, nga 22, dje numri i futbollistëve ka qenë 23.

Arlind Kalaja është emri që i është shtuar grupit kuqeblu, duke u vënë në dispozicion të teknikut Cungu ashtu si edhe kolegët e tjerë të skuadrës. Mungesa e Kalasë në seancën e parë stërvitore u shoqërua me komente nga më të ndryshmet, të cilat ndër të tjera bënin të ditur se me skadimin e afatit të kontratës në fund të majit, në këmbim të vazhdimit të bashkëpunimit me kuqeblutë ai kërkonte kushte të tjera kontrate me klubin Vllaznia.

Gjithsesi, edhe pse burimet në fjalë vinin nga brenda klubit kuqeblu, ka qenë drejtori sportiv Eugent Zeka që ka marrë përsipër të sqarojë situatën rreth futbollistit në fjalë. Në një prononcim të posaçëm për “Sport Ekspres”, Zeka tha dje teksa ndiqte nga afër seancën stërvitore të Vllaznisë në “Reshit Rusi”, se nuk ka asnjë çështje “Kalaja”. Sipas tij, mungesa e futbollistit në ditën e parë stërvitore ka pasur të bëjë me problemet familjare që shoqërojnë sportistin.

Për ta bërë edhe më bindëse deklaratën e tij rreth situatës që shoqëron Kalanë, drejtori Zeka konfirmoi se për mungesën e premtes ka pasur lejen e tij si zyrtar i klubit Vllaznia.

Përpos çështjes “Kalaja”, ka edhe diçka tjetër për të sqaruar. Kjo ka të bëjë me futbollistët Arenc Dibra, Bekim Erkoçeviç dhe Arsen Hajdari, të cilët duke qenë se nuk u panë të jenë të pranishëm në seancën stërvitore të ditës së parë, u aludua se mund të jenë larguar. Sipas Zekës, një gjë e tillë nuk është e vërtetë, sepse futbollistët në fjalë janë pjesë e klubit Vllaznia dhe për momentin janë llogaritur si kontigjent i Vllaznisë B”, por që në vazhdimësi mund të ketë edhe lëvizje të tjera në këtë drejtim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *