Rrumbullaku, nga përgatitjet te përforcimet: Kukësi ia del!

Mbrojtësi beson shumë tek kualifikimi: Afrimet do të ndihmojnë shumë me personalitetin dhe eksperiencën e tyre

Jurgen Zela

Çdo ditë që kalon e afron akoma më shumë debutimin e Kukësit në Champions. Verilindorët dhe pse për herë të parë në këtë kompeticion, kanë krijuar eksperiencën e duhur në arenën ndërkombëtare, duke qenë pjesëmarrës të rregullt në katër vitet e fundit dhe duke kaluar disa ture në tre edicione. Tashmë është momenti që të bëjë mirë dhe në kompeticionin më madhor për klube. Nga Austria, për “Sport Ekspres”, mbrojtësi Simon Rrumbullaku tregon rreth përgatitjeve të skuadrës dhe pritshmëritë për takimin me Sherifin e Tiraspolit. I vetëdijshëm për forcën e kundërshtarit, 25-vjeçari tregohet besimplotë për një rezultat pozitiv në takimin e parë. Kualifikimi? Ambiciet e Kukësit janë madhore dhe të gjithë e dinë se duhet të japin maksimumin për të arritur objektivat e klubit.

PËRGATITJET “Kemi 3 javë që po punojmë shumë këtu në Austri. Kemi sakrifikuar maksimalisht që të jemi gati për dy ndeshjet me Sherifin e Tiraspolit, që të japim më të mirën tonë. Besoj që faza përgatitore ka shkuar mirë. Ka qenë një periudhë mjaft e ngarkuar dhe e lodhshme, megjithatë besoj shumë e nevojshme për ndeshjet e Championsit“. SITUATA “Kemi luajtur katër miqësore, ku kemi arritur që të marrim dy fitore dhe të pësojmë dy humbje, kundrejt kundërshtarëve me nivel shumë të lartë. Kemi bërë një punë të madhe në aspektin taktik dhe jemi aty ku duhet për sa i përket anës fizike. Mund të them se jemi të kënaqur për sa u përket përgatitjeve këtu në Austri“.

SHERIF TIRASPOL “Na kanë mbetur dhe disa ditë për t’u përgatitur akoma më shumë për ndeshjen e parë. Kundërshtari është një skuadër që në përbërje ka shumë kualitet dhe cilësi. Nuk do të jetë aspak e lehtë dhe ne e dimë mirë diçka të tillë. Besoj shumë se skuadra është gati dhe do të synojmë një rezultat sa më pozitiv në ndeshjen e parë në transfertë. Ky takim është shumë i rëndësishëm dhe shumë vendimtar. E kemi studiuar shumë kundërshtarin dhe besoj do të jetë një supersfidë ndeshja me ta“.

REZULTATI “Një gol në fushën e tyre do të kishte vlerë shumë të madhe për sa i përket çështjes së kualifikimit, pasi dihet sa vlen një gol në fushën kundërshtare. Nëse do të realizonim atje, në ndeshjen e kthimit gjërat bëhen më të lehta. Kukësi është një klub ambicioz dhe të gjithë këtu duam shumë që të bëjmë të pamundurën për të ecur sa më larg, për tu ngjitur sa më lart“.

AFRIMET “Me grupin janë bashkuar disa lojtarë shumë cilësorë, të cilët janë përshtatur shpejt me skuadrën. Besoj se do të na ndihmojnë shumë sidomos me personalitetin dhe eksperiencën që kanë”.

PRITSHMËRITË “Personalisht tek Kukësi jam ndier mirë që në ditën e parë që kam ardhur këtu. Në këtë periudhë besoj se kam arritur maksimumin tim dhe jam gati si psikologjikisht ashtu dhe fizikisht për këtë ndeshje. Të gjithë së bashku do të japim maksimumin që të kalojmë këtë tur, si në kampionat grupi është pika më e fortë e jona dhe jemi besimplotë se nuk na mungon asgjë për të avancuar në turin tjetër”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online