Tirana u mund në derbi dhe kjo nuk është se përbën lajm. Zhvillimet e ditëve të fundit janë lidhur me të ardhmen e trajnerit Ze Maria, i cili nuk ka ndërmend të largohet vetë. Braziliani rinovoi kontratën këtë verë dhe kërkon ta respektojë.
Tekniku i bardhebluve ndërkohë pafolur në lidhje me takimin që ka pasur me presidentin Refik Halili, por edhe me lojtarët e tij. “E kërkonin shumë vetë që unë të largohesha, por besoj që jemi sqaruar me presidentin gjatë paradites dhe në mesditë jemi sqaruar si staf teknik me lojtarët. Kemi nxjerrë në pah problemet tona si staf dhe të lojtarëve, duke i premtuar njëri-tjetrit që të ndryshojmë nga sot e tutje”, ka deklaruar fillimisht Ze Maria për “Top-Channel”.
Më tej braziliani ka shtuar: “Kam dashur që të dëgjoj nga të gjithë lojtarët, nga kapiteni, atë çfarë kishin për të thënë dhe cili ishte mendimi i tyre. I premtova presidentit një impenjim maksimal, kjo nuk diskutohet, nuk ka ndodhur më parë dhe nuk do të ndodhë asnjëherë. Unë nuk jam këtu për të humbur kohë dhe për t’iu humbur kohë njerëzve. Nuk duam të na fyejnë e as të fyejmë njeri. Folëm për këto gjëra me presidentin dhe për momentin do të vazhdojmë, më pas të shohim çfarë do të ndodhë. Jam shumë i kënaqur që qëndrova, pasi asnjëherë nuk e kam fshehur faktin që ndihem shumë mirë këtu në Tiranë”.
ÇËSHTJA E KONTRATËS – Gjithsesi Ze Maria ka dashur të sqarojë se nuk qëndron te Tirana për paratë, madje zbulon se ka refuzuar një ofertë më të mirë gjatë verës. “Më vjen shumë keq për disa njerëz që mendojnë se unë këtu qëndrova për paratë, pasi këtë vit kam refuzuar një kontratë shumë të majme financiare dhe klubi e di. Unë jam një njeri që dua ta mbyll një projekt që filloj. 5000 eurot që marr nuk më ndryshojnë jetën, kjo është pak, por e sigurt”, u shpreh në mbyllje trajneri i bardhebluve.