Tensioni politik, Mkhitarian mungon në ndeshjen me Karabakun

0

Henrikh Mkhitarian është lënë jashtë ekipit të Arsenalit, për trasfertën me Karabakun në Europa League. Shkak është bërë konflikti që vazhdon ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit, për rajonin e Nagorno-Karabak.

Prej tensionit politik, asnjë shtetasi armen nuk i lejohet të hyjë në shtetin e Azerbajxhanit. Në raste të veçanta mund të bëhen përjashtime, ashtu si ndodhi në vitin 2015 kur për ndeshjen e Borusia Dortmund me Karabak, qeveria azere i garantoi Mkhitarian marrjen e vizës.

Megjithatë, në atë rast shqetësimi lidhej me sigurinë e futbollistit. Ashtu si ndodhi tre vjet më parë, edhe tani u mendua e udhës që 29-vjeçari të mos ishte i pranishëm në këtë ndeshje.

Edhe pse për këtë përballje Arsenali mund të mos e vuajë mungesën e Mkhitarian, “topçinjtë” duhet t’a mbajnë parasysh këtë çështje, për faktin se finalja e Europa League luhet më 29 maj pikërisht në Azerbajxhan. “Siguria e lojtarëve tanë është parësore. Nëse do të na duhet të përballemi me këtë lloj problemi në fund të sezonit, do të diskutojmë me lojtarin, për të marrë vendimin më të mirë”, tha një zëdhënës i klubit.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.