Trajneri i Tiranës, Ze Maria, ka folur para gazetarëve pas përfundimit të takimit ndaj Ilirisë, që u fitua me rezultatin 4-0 nga bardheblutë. Tekniku brazilian tha se që nga ky moment e tutje, skuadra e tij do të mendojë vetëm për ndeshjen e së premtes, ku Tirana do të ndeshet me Partizanin.
FORMACIONI – “Sot ishte një formacion ndryshe nga ai i kampionatit, pasi vendosa që t’u jap më shumë kohë lojtarëve që kanë luajtur në ndeshjet e fundit, si dhe t’u jap minuta lojtarëve që nuk kanë pasur shumë hapësira. Nga ky moment e pas do të mendojmë në çdo moment për takimin me Partizani. Mendojmë për atë ndeshje në mëngjes, në drekë dhe në darkë, në çdo moment. Duhet të jemi të përqendruar tek ajo sfidë maksimalisht.”
SENTAMU- “Jam i lumtur që shënoi pas shumë muajsh që në ndeshjen e parë si titullar. Sentamu është një sulmues dhe detyra e tij është që të shënojë. Është një lojtar i rëndësishëm për skuadrën tonë. Nëse do të ketë mundësi të premten do të jetë i gatshëm për të dhënë maksimumin.”
HISTORIKU I DERBIT – “Janë shumë ndeshje pa fitore. Është tepër për një klub si Tirana. Mendoj se derbi është ndeshja më e rëndësishme e sezonit. Jemi të përqendruar dhe do vijojmë punën tonë të qetë. Në ndeshjet e fundit jemi paraqitur mirë dhe jemi me moralin lart, por do të rregullojmë dhe gabimet e bëra gjatë këtyre ndeshjeve.”
“Në derbi duhet shumë përqendrim shumë balancë, pasi është një ndeshje me specifikë të veçantë. Besoj se do ja dalim dhe do arrijmë fitoren duke qenë të përqendruar.”
“Do ta shoh gjendjen e Ngos dhe këto tre ditë. Do të flas dhe me të dhe do të vendosa.”
“Ne do ta luajmë derbin për ta fituar dhe pak rëndësi ka nëse shënojmë një, dy apo tre gola. E rëndësishme në këtë ndeshje është të marrim fitoren.”