Ze Maria: Afrimeve u duhet kohë, presidenti më ka dhënë një premtim për Dokën

Flet trajneri i bardhebluve, Zhoze Marcelo Ferreira. Numri një i Tiranës prek çdo temë, duke filluar nga merkatoja deri tek objektivat e sezonit të ri

Olsi Avdiaj

Zhoze Marcelo Ferreira, ose ndryshe Ze Maria prej tre muajsh është trajneri i Tiranës. Në fillim ndeshjet e Europës dhe më pas puna për Tiranën e sezonit të ri. Trajneri Ze Maria ka rrëfyer gjithçka për Tiranën. Sipas tij, skuadra është gati për tre kompeticionet ku do të luajë këtë sezon. Trajneri foli për blerjet e skuadrës dhe pengjet për ata që nuk erdhën dot në skuadrën bardheblu.  

-Mister një ndeshje miqësore të cilët e keni fituar 6-0 një ditë më parë. Jeni i kënaqur?

Nuk jam i kënaqur me rezultatin, sesa për lojën dhe mënyrën sesi u përgjigj ekipi këtë herë. Për më tepër që ne kemi luajtur me të njëjtën skuadër tre-katër ditë më parë. Në ndeshjen e parë luajtëm dhe fituam, por loja nuk ishte fare e mirë, por dje skuadra ishte më konkrete. Me ardhjen e Tonit Mauexhes në mesfushë jemi përmirësuar shumë.

-Po të tjerët që kanë ardhur në këtë merkato?

Të tjerët nuk janë akoma në formë. Janë futbollistë që vinë nga pauza të gjata. Nuk luajnë prej shumë kohësh. Duan kohë që të jenë perfektë.

-Ngo për sulmin?

Majkëll ka nevojë për të paktën tre javë, që të jetë në formë. Duhet të punojë shumë. Ka shumë kohë që nuk stërvitet dhe nuk luan, ndërsa e kemi një ritëm shumë të lartë. Kjo është mënyra jonë e lojës. Nëse ti vuan pak, mbetesh pas. Shkurt, ai, Alvaro (Bishaj), Kalu kanë nevojë për t’u përmirësuar fizikisht, por kjo situatë ka një të keqe. Nuk kemi kohë deri në ndeshjen e parë. Lojtarët më erdhën shumë vonë. Dy prej të cilëve vetëm ditën e fundit të merkatos dhe nuk kemi kohë as t’i sjellim në formë. Gjithsesi, të tjerët janë shumë më mirë. Mauexhe mund të luajë 90 minuta para mbrojtjes.

Binguila?

Po e presim, por nuk do të vijë në kohë. Po presim vizën që ai të jetë në Tiranë të martën ose të mërkurën në mëngjes.

-Është më i mirë se Mervejl thonë?

Mervejli ishte një lojtar i mirë. Për Binguilan kam parë disa video të tij. Edhe ky është një futbollist i mirë dhe shpresoj që ai të vijë dhe të na japë atë kapërcimin e madh në cilësi, për të cilin kemi shumë nevojë. Është futbollist i një kombëtareje dhe teorikisht këta lojtarë duhet të jenë shumë të fortë, por le ta shohim në fushën e lojës sesi do të paraqitet.

-Ke rezerva për një merkato që u zhvillua shumë vonë dhe a prisje lojtarë të tjerë?

Lojtarë të mirë pres gjithmonë dhe dyert janë të hapura. Gjithsesi, klubi bëri të pamundurën për të sjellë lojtarët më të mirë që kërkova. Nuk erdhën lojtarët që kisha në Kenia, por për probleme të klubit Gor Mahia. Erdhën lojtarë të tjerë, por futbollistë si Toni që është shumë i mirë dhe tre të tjerët duhet t’i shoh akoma në fushë.

-Muguna, u fol shumë për të?      

Më vjen shumë keq. U fol gjatë për këtë lojtar. E njihja shumë mirë dhe e doja me çdo kusht. Lojtar shumë cilësor që na ngjiste shumë lart në cilësi. Edhe ai kishte shumë dëshirë që të rritej edhe ai, por ky është futbolli nuk ke çfarë bën. Më vjen keq për të, por i lumtur që kam futbollistë të tjerë, por që do të mundohemi t’i kemi gati sa më shpejt.

-Eder Paulista u largua?

Po është e vërtetë edhe kjo. Ishte një zgjedhje e klubit dhe planeve të tij. Më vjen keq për djalin, pasi po ambientohej dhe ishte pothuajse gati si me tipologjinë e lojës dhe stërvitjes dhe pozicionit në fushë. Por nga ana tjetër, shpresoj dhe besoj se Majkëll mund të bëjë më mirë sesa bënte Eder.

-Uellisoni, një tjetër ku ka rezerva, a do të qëndrojë?    

Sigurisht që po. Ka një kontratë 2-vjeçare dhe një lojtar që po përmirësohet. Është në atë pozicion edhe Kalu. Një futbollist që do të luftojë në atë pozicion. Tani kemi gjashtë të huaj, ku katër luajnë dhe dy do të qëndrojnë në stol dhe kjo është normale. Dhe në bazë të objektivave që kemi, kampionat dhe Kupë, por sidomos në Kupë, sepse e kemi si objektiv fitimin e Kupës për të qenë në Europë, këta lojtarë do të shpërndahen për gjatë gjithë ndeshjeve.

-Cilat objektiva Ze Maria e Tirana këtë sezon?

Kampionati, i pari. Duhet të ngjitemi sa më parë. Kupa e Shqipërisë. Duhet të jemi sërish në Europë. Nuk harrojmë edhe Superkupën. Tirana është klubi më i titulluar në vend dhe që duhet të fitojë gjithçka. Superkupa është trofeu i parë që do të mundohemi ta fitojmë. Unë them se jemi gati.

-E njeh Kukësin?

Diçka kam parë. Ne ata na njohin më mirë. Me ne ishte Ivani, që i njeh gjërat e Tiranës shumë më mirë, por në futboll janë detajet që vendosin ndeshjen. Do të mundohemi t’i surprizojmë në një mënyrë apo tjetrën.

-Do të ikë njeri nga Tirana, Doka për shembull?     

Merkatoja është mbyllur. Doka do të qëndrojë, por nuk e kuptoj gjithë këtë rrëmujë. Mesa di unë qëndron. Presidenti më ka thënë që qëndron. Është një lojtar që ka vetëm pesë muaj si profesionist. Të ecim pak avash. Është lojtar i mirë, por jo fenomen, pasi nuk është rasti. Mund të rritet dhe të bëhet më i mirë. Duhet të mësojë akoma shumë dhe për këtë do të jetë i njëjtë me të gjithë. Do të luajë, do të jetë në pankinë, një fenomen që u ndodh të gjithëve, pasi tani janë shumë lojtarë në dispozicion. Nuk është fenomen, por mund të bëhet shumë i fortë.   

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online