Getafe vazhdon të mos zgjohet nga ëndrra e saj. Klubi i vogël spanjoll ra nga kategoria në vitin 2016. Një vit më vonë u ngjit përsëri në La Liga, ndërsa sezonin e kaluar e mbylli në vend të tetë.
Sivjet ka ndryshuar gjithçka. Getafe, me një vlerë totale prej 84 milionë eurosh, po lufton fort për një vend në Champions. Në fillim të sezonit kanë përfituar 3 milionë euro nga shitjet dhe kanë shpenzuar 20 milionë të tilla për të përforcuar ekipin.
Sot kanë fituar ndeshjen direkte kundër Seviljes për një vend në katërshen e parë. Një 3-0 e pastër për vendasit, të cilët parakalojnë ekipin andaluzian dhe rikthehen në zonën Champions.
Përballja u karakterizuar nga gola, penallti, kartonë të kuq, VAR dhe shumë duele të forta. Goli i parë erdhi në minutën e 35-të dhe u desh ndërhyrja e VAR-it. Një prekje me dorë në zonën e Seviljes dhe penallti për Getafen.
Protesta të shumta të ekipit mik, por arbitri vendos për penallti pas pamjeve të ofruara. Mata tregohet i saktë dhe kalon vendasit në avantazh. Pjesa e parë nuk mbyllet me kaq dhe rezervon një tjetër penallti për Getafen.
Sërish prekje me dorë dhe sërish kërkohet ndihma e teknologjisë. Arbitri kryesor e cilëson si penallti dhe kartoni i dytë i verdhë për Eskuderon, që përkthehet Sevilja me një lojtar më pak. Është minuta e katërt shtesë e pjesës së parë.
Goditjen e merr përsipër Molina, i cili shënon dhe dyfishon shifrat. Getafe arrin të shënojë përsëri në pjesën e dytë dhe të “vrasë” ndeshjen. Molina shënon të dytin personal në minutën e 53-të dhe 3-0 për vendasit.
Ndeshja nuk ka më histori, pavarësisht se numri i lojtarëve barazohet 19 minuta përpara fundit. Karton i kuq për Dakonam, por koha është e pamjaftueshme për të ndryshuar diçka dhe në stadium shpërthen festa e tifozëve.
Kjo fitore e ngjit Getafen në kuotën e 54 pikëve, ndërsa Sevilja e ndjek në vendin e pestë me dy pikë më pak, kur kanë mbetur edhe 5 javë nga fundi i kampionatit.
Getafe-Sevilja 3-0
Shënues: Mata (pen) 35’, Molina (pen) 45+4’, 53’