Franca luajti në transfertë përballë Turqisë, sfidë e vlefshme për ndeshjet kualifikuese të Euro 2020. Kampionët e Botës në fuqi dhe turqit janë në të njëjtin grup me Shqipërinë. E kur mendohej një fitore për “Gjelat”, ka qenë Turqia ajo që kaloi e para në avantazh. Futbollisti Kan shënoi në minutën e 30’ me kokë, duke mposhtur portierin Loris dhe duke i dhënë avantazhin të kuqve. Vetëm 10 minuta më vonë, sulmuesi i Romës, Çengiz Ynder dyfishon avantazhin e turqve, duke shënuar me të djathtën nga një diagonale thuajse e pamundur.
Pjesa e parë do të mbyllej me rezultatin 2-0 në favor të vendasve. Në pjesën e dytë, trajneri Deshamp u mundua të ndryshojë diçka, por Franca nuk ia doli që të gjente të paktën një gol, ndërsa Turqia mbrojti me fanatizëm avantazhin dhe mori tri pikë shumë të vyera dhe kreun e Grupi H.
Kualifikuese, Euro 2020
Turqi – Francë 2-0
Kan 30’, Ynder 40′