Tirana dhe Dinamo kanë luajtur një miqësore mes tyre sot në “Selman Stermasi”, duke përfituar nga ditët pushim për shkak të kombëtareve dhe duke rikthyer derbin e kryeqytetit. Të dyja skuadrat kanë zbritur në fushë me formacione të forta, duke mos i kursyer titullarët.
Bardheblutë e drejtuar nga Ardian Mema arritën të triumfonin pastër 2-0, duke i mposhtur rivalët e qytetit që në pjesën e parë. Në minutën e 34’, Ngo shërben për Hasanin brenda zonës dhe mesfushori nuk e ka të vështirë të shënojë. Vetëm katër minuta më vonë, Sentamu shërbehet i lirë pas mbrojtjes së Dinamos, kalon portierin dhe shënon me portën e boshatisur.
Në pjesën e dytë, Mema dhe Allmuça bënë shumë zëvendësime, duke aktivizuar dhe futbollistë të rinj. Rastet ishin të pakta dhe të dyja skuadrat u pajtuan me rezultatin e takimit.
Miqësore, 23 mars 2019
Stadiumi “Selman Stermasi”
Tirana – Dinamo 2-0
Hasani 34’, Sentamu 38′
Formacionet fillestare
Tirana: Lika, Kërçiku, Imami, Turtulli, Hoxhallari, Cake, Hasani, Daja, Halili, Sentamu, Ngo Trajner: Ardian Mema
Dinamo: Laco, Nuri, Kaja, Muça, Topalli, Allmuça, A. Nuri, Vrapi, Sefa, Çema, Çiliku Trajner: Igli Allmuça
EPISODET
78’ Tirana shpërdoron disa kundërsulme, Dinamo qarkullon topin
65’ Kalojnë të qeta minutat, skuadrat duken të pajtuara me rezultatin
46’ Fillon pjesa e dytë, Mema i zëvendëson të gjithë
45’ Mbyllet pjesa e parë, Tirana në avantazh të dyfishtë
38’ Goool Tirana, shënojnë sërish bardheblutë. Sentamu bën gjithçka mirë, kalon portierin Laco dhe shënon golin e dytë të Tiranës, që në katër minuta krijoi 4 aksione të rrezikshme
34’ Gooool Tirana, shënon Hasani. Ngo bën gjithçka mirë në hyrje të zonës, e mbron topin dhe shërben të Hasani, i cili i vetëm përballë portierit nuk e ka të vështirë të shënojë
26’ Çfarë aksioni model nga Dinamo. Sefa dhe Çema bëjnë gjithçka mirë, duke kombinuar disa herë mes njëri-tjetrit. Sefa është i vetëm përballë portierit Abibi, por gjuajtja e tij shkon jashtë
1’ Fillon takimi në “Selman Stermasi”, interes i pakët nga tifozët