Ashtu si dhe në fazën e parë Flamurtari arrin që të marrë pikët të plota ndaj Kukësit, duke fituar në Kamzë, me rezultatin 1-2. Vendosën golat e Franc Veliut dhe Danilo Alvesh, ndërsa në pjesën e dytë ishte Shpehar që riktheu Kukësin në lojë. Asnjëherë më parë Flamurtari nuk kishte mundur që të merrte pikë të plota në transfertë me Kukësin në këto 6 edicione.
Verilindorët nuk mundën që të gëzonin të pranishmit që ishin sot në stadiumin e Kamzës, që duhet përmendur se ishin në një numër të konsiderueshëm, ndryshe nga të gjitha ndeshjet e mëparshme të këtij sezoni. Minuta e para ishin të qeta, edhe pse skuadrat tentuan që të ngacmonin në portat respektive.
Kur duheshin dhe 5 minuta para fundit, kuqezinjtë arritën që të gjenin rrugën e rrjetës, me anë të Franc Veliut. Mbrojtësi vlonjat këmbënguli, duke u shpërblyer në fund, pasi e gjeti rrugën në tentativën e tij të dytë. Ishin makth minuta e fundit të fraksionit të parë për kuksianët, që panë Rexhinaldon të ndalej nga Koliçi.
Pikërisht nga ajo pritje nisi dhe aksioni i golit të dytë të vlonjatëve, të cilët finalizuan me anë të Danilo Alvesh, i cili sërish gjen rrugën e rrjetës në të tretën ndeshje radhazi. Të dëshpëruar i drejtohen dhomave të zhveshjes kuksianët.
Në fraksionin e dytë Cungu bëri menjëherë dy ndryshime, duke hedhur në fushë Kalanë dhe Shpehar. Ishte pikërisht kroati ai, i cili ngushtoi diferencën. Ndeshje e hapur dhe me raste, por Flamurtari mund ta kishte mbyllur ndeshjen, nëse Bushiç do ishte më i saktë. Kukësi normalisht u hodh para në sulm, por pa mundur që ta gjejë rrugën e rrjetës. Shameti krijon një rast të mirë shënimi në minutat e fundit, por kapiteni nuk gjen dot kuadratin.
Në fund, skuadra e Dajës merr një fitore me shumë vlerë dhe vijon t’i afrohet kreut, ndërsa Kukësi pëson humbjen e katërt në këtë kampionat. Vlonjatët pozicionohen në vendin e katërt me 18 pikë, vetëm një më pak se Kukësi.
Kategoria Superiore – Java 11
E premte, më 2 nëntor 2018, ora 14:00
Stadiumi i Kamzës, Kamzë
Kukësi 1–2 Flamurtari
Shënues: Shpehar 50’/ Veliu 39′, Alvesh 45′
Kukësi: Frashëri, Maliki, Shameti, Cuculi, Zguro (Krasniqi 72′), Ethemi (Shpehar 46′), Shkodra, Limaj (Kalaja 46′), Tigruxha, Uilliam, Rexhinaldo. Trajneri: Armando Cungu. Të gatshëm: Maloku, Qaqi, Selimi, Toure.
Flamurtari: Koliçi, Siljanovski, Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Useini, Mustafa (Alla 80′), Ribaj (Beqaj 74′), Torasa, Alvesh (Hyseni 64′), Bushiç. Trajner: Ilir Daja. Të gatshëm: Qirko, Deliaj, Sirgi, Ymeraj.
Kartonë të verdhë: Krasniqi 73′, Tigruxha 87’/ Siljanovski 70′, Mustafa 77′, Useini 87′
Gjyqtarë: Olsi Sokoli, Endrit Veseli, Erind Burgu, Orlando Kuka.
Delegat: Lysien Nurishmi; Vëzhgues: Astrit Dervishi.
DIREKT
83′ – Askush nuk e devijon topin, pas harkimit të Shkodrës.
59’ – Pas harkimit nga e majta, Bushiç gabon edhe pse i pamarkuar dhe shumë pranë portës.
GOOOL 50′ – Shpehar kthen në gol një harkim të Uilliam nga e majta.
Presidenti Gjici ka zbritur në dhomat e zhveshjes në pushimin e ndeshjes, ndërkoh që Idrizi ka qëndruar në tribunën VIP.
GOOOL 45‘ – Koliçi bëhet hero me një pritje vendimtare ndaj Rexhinaldo, menjëherë në kundërsulm kuqezinjtë, të cilët finalizojnë me anë të Alvesh, i cili i vetëm me Frashërin nuk e ka të vështirë që të shënojë. Kur nuk shënon e pëson, rregulli i pashkruar i futbollit mori jetë sërish.
GOOOL ! 40’’ – Flamurtari nuk heq dorë, lehtë, pasi Veliu provon me kokë pas një harkimi të Bushicc, megjithatë Shameti e ndal, më pas është Pollozhani që godet, por gjen Frashërin këtë herë, nuk gabon më Veliu, i cili shënon në goditjen e tij të dytë.
37′ – Pas harkimit nga e djathta, ka pretendime të topit me dorë nga anan e kuksianëve, por asgjë për Sokolin.
35’ – Pas një aksioni të gjatë Useini provon nga distanca, por topi është i lehtë dhe kontrollohet nga Frashëri.
13’ – Torasa bëri gjithçka mirë nga e djathta dhe harkoi në mënyrë mjaft të mirë në krahun tjetër, por Maliki në mënyrë heroike devijoi para Bushiç topin, duke e çuar në këndore.
11’ – Ndeshja është ndërprerë për pak sekonda, pasi portieri i Kukësit ka ndryshuar fanellën, për shkak se po luante me uniformën e zezë, e cila ngjasonte me atë të lojtarëve të Flamurtarit. “Gardiani” ka veshur fanellën me ngjyrë të verdhë.
7 ‘ –Alvesh avancon nga e majta deri pranë fundores dhe harkon brenda zone, por harkimi i tij ndalet nga një prej lojtarëve të Kukësit.
2’ – Zguro hedh një top nga e majta, por Koliçi del i sigurt dhe neutralizon rrezikun.
1’ – NIS NDESHJA!
Tifozët kanë mbushur sektorët ku lejohet prania e tyre. Kujtojmë që tribuna e quajtur si karshi është hapur për këtë ndeshje pak minuta par niste sfida.
Presidenti Safet Gjici dhe administratori Sinan Idrizi janë ngjitur së bashku në tribunën e stadiumit të Kamzës, duke treguar se ruajnë raporte mjaft të mira me njëri-tjetrin.