Shehi: Harrojeni Partizanin, këtu kemi ardhur me punë

0

Skënderbeu pret Kastriotin e Krujës të shtunën, në orë 17:00. Fitorja në kryeqytet përballë Partizanit ka rritur entuziazmin në kampin korçar, të cilët parakaluan të kuqtë në renditje dhe tashmë kryesojnë kampionatin shqiptar.

Trajneri Orges Shehi ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes, duke u treguar i kujdesshëm dhe modest. Ndeshjet merren një nga një dhe titulli nuk duhet menduar.

KASTRIOTI – “Vijmë pas një fitore të rëndësishme dhe vazhdimësia është shumë e rëndësishme në këtë fazë të kampionatit për një ekip si ne. Është e vështirë dhe një ndeshje që do e vlerësojmë, pavarësisht se çfarë emri ka skuadra që kemi përballë. Sigurisht që e kemi harruar ndeshjen me Partizanin. Që pas dy ditësh pasi mbaruam dhe analizën e ndeshjes që kaloi, kemi filluar të mendojmë për ndeshjen e radhës.”

KRYESIMI – “Sigurisht që arritja në krye na kënaq, na jep optimizëm, sepse po marrim frytet e punës. Çdo gjë që kemi arritur deri këtu e kemi falë punës. Na del detyrë të vazhdojmë përpara me të njëjtën dëshirë dhe përkushtim. Sigurisht që nuk është e lehtë për të mbajtur majën, por me mentalitetin që ka skuadra jonë dhe lojtarët, besoj se është eksperiencë që na ndihmon shumë.”

OBJEKTIVI – “Për të qenë i sinqertë, ne jemi pjesë e një skuadre dhe klubi, që ka objektiva të mëdha. E përsëris prapë që nuk është e udhës të flasim se jemi për kampion, apo për Kupat e Europës. Duhet të punojmë, t’i marrim ndeshjet një nga një, jemi një skuadër që jemi formuar, sepse ka patur shumë largime. Këtu janë lojtarë shumë cilësorë, por janë të rinj. Duhet vetëm të punojmë dhe objektivin do e ndjekim hap pas hapi.”

KONTIGJENTI – “Këto janë bindjet e mia, ndeshja ndeshjes nuk i ngjan, kundërshtarët janë të ndryshëm dhe për këtë specifikë do të vendosim unë bashkë me stafin se kë do të hedhim në fushë. Dua të them, jam i bindur për këtë që po them, se çdo lojtar ka marrë minutat që i kanë takuar. Detyra e lojtarit është të vejë në pozitë trajnerin dhe më vjen shumë mirë që ndërrimet po funksionojnë, lojtarët që po vijnë nga stoli po funksionojnë.”

MENTALITETI – “Rruga është shumë e gjatë, titulli është shumë larg dhe janë shumë ndeshje për të shkuar të titulli. Të bësh një gjë të tillë duhet t’i marrësh ndeshjet një nga një dhe jo të mendojmë titullin tani, kur nesër na pret një kundërshtar dhe pas tij ndeshje të tjera. Të gjithë lojtarët janë të gatshëm, i kanë kaluar problemet fizike, pastaj formacionin do ta vendosim. Në fushë zbresin 11 lojtarë, kemi një kontingjent të madh.”

 

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.