Mançester Siti ka kryer detyrën në shtëpi ndaj Evertonit, në ndeshjen hapëse të javës së 17-të në Premier Ligë. Ekipi i Guardiolës ka triumfuar pastër, me shifrat 3-1, duke marrë njëkohësisht dhe vendin e parë, në pritje të sfidës që Liverpuli do të luajë nesër ndaj Mançester Junajtid.
Evertoni u mundua të rezistonte, teksa zbriti në fushë me një modul me pesë mbrojtës, por për “Citizens” duket se kjo gjë nuk bëri përshtypje. Në minutën e 22-të ishte Leroi Sane, i cili asistoi për Gabriel Zhesus dhe ky i fundit nuk gaboi i vetëm përballë Pikford, duke çuar në avantazh të tijtë.
Pjesa e dytë nisi me gol, ku ishte dhe një herë tjetër binomi Sane-Zhesus. Gjermani asistoi përsëri në mënyrë perfekte dhe braziliani shënoi golin e dytë me një goditje me kokë. Evertoni u mundua të reagonte dhe e bëri një gjë të tillë në minutën e 65-të, ku pas një krosimi të Lukas Dinj, ishte Kalvert-Levin që shkurtoi diferencën në 2-1.
Gjithsesi, festa e golit tek Evertoni nuk zgjati dhe aq. Vetëm katër minuta nga goli i shënuar, ishte Rahim Sterling, i cili erdhi nga stoli në minutën e 66-të dhe arriti menjëherë që të gjente rrugën e rrjetës. Lajm i mirë në këtë sfidë ishte dhe aktivizimi i Kevin De Brujn, i cili u rikthye nga dëmtimi.