Paolo Di Kanio ka qenë një nga personazhet më të çuditshëm të futbollit. Klasiku i tipit, të cilin e dashuron ose nuk dëshiron ta shohësh me sy. Futbollist fantastik, i rritur me Lacion në zemër dhe bindjet ultra të djathta, një “luftëtar” në fushën e blertë, karizmatik dhe origjinal me komentet e tij, provokues i madh dhe shumë çmenduri të kryera në karrierë.
Për shumëkënd një mit dhe simbol, për të tjerë thjesht një idiot dhe debil. I vetmi që ka guxuar të festojë si lacial poshtë tribunës së “Curva Sud”, aty ku gjenden ultrasit “armiq” të Romës. Di Kanio ka luajtur për Lacion, Juven, Napolin, Milanin, Sëlltikun, Shefilld Uednsdej, Uest Hem, Çarlton për t’u rikthyer përsëri te Lacio.
Nga të gjitha këto klube hapësirën më të madhe në zemër ia ka dhuruar Uest Hemit. Di Kanio është një legjendë në ato anë dhe idhull absolut i tifozërisë, një prej më të zjarrtave në ishull. Një ndeshje shtyu arbitrin në fushën e blertë, duke e rrëzuar, gjë për të cilën u dënua me 11 ndeshje, ndërsa një rast tjetër tregoi zemrën e tij të madhe.
Ishte 18 dhjetori i vitit 2000 dhe në “Goodison Park” luhej ndeshja Everton-Uest Hem. Rezultati është 1-1 dhe ora po i ofrohej minutës 90’. “Çekiçët” sulmojnë në kërkim të golit të fitores.
Pol Xherard, portieri vendas bën një dalje të dëshpëruar, duke shpëtuar për një moment portën. Tërheqja muskulore bën të veten, Xherard dëmtohet, por aksioni është i shpejtë dhe askush nuk e ka mendjen tek ai. Përveç njërit, Paolo Di Kanios.
Një lojtar kroson, porta e Evertonit është bosh, por Paolo nuk mund të shënojë në atë mënyrë. Ngre duart lart, kap topin, bën me shenjë nga portieri dhe niset drejt tij.
Askush nuk u beson syve, një mbrojtës i Evertonit e përgëzon, ndërsa ky moment bën xhiron e botës dhe e kthen Di Kanion në një legjendë. Gjesti i tij do të shpallej atë vit gjesti më i bukur “fair-play”.
“Le të themi të vërtetën, nuk mund të shënoja. Unë kam qenë gjithmonë një njeri i mirë. Pse vendosa të veproj ashtu? Në periudhën e Krishtlindjes të gjithë bëhen njerëz më të mirë… Edhe sot vazhdoj të marr mesazhe nga tifozë të Evertonit, të cilët ma kujtojnë gjithmonë atë gjest. Ka nga ata që kanë qenë të vegjël, sot janë rritur dhe më shkruajnë akoma. Kurrë nuk është diçka e keqe të mbahesh mend për mirë”, theksonte Di Kanio përpara ca kohësh. Rreth kësaj çështje ka folur edhe Herri Redknap. Trajneri i njohur ndodhej në stolin e Uest Hemit atë ndeshje dhe e kujton në këtë mënyrë ngjarjen e ndodhur.
“Oh, Zot! Ditën kur Di Kanio mori topin kundër Evertonit për të ndihmuar Pol Xherard… Dola nga fusha në fund të ndeshjes me një shprehje që dukej sikur donte të thoshte: ‘Çfarë bëri ai?’. Stjuart Pirs erdhi si një rrufë në dhomat e zhveshjes dhe më tha: ‘mbaje larg meje, dakord? Përndryshe do e vras, do ia çaj kokën në dysh!’ Pas dy minutash kisha intervistë direkte në Sky dhe gazetari më tha: ‘Çfarë dite e madhe për futbollin! Duhet të jesh krenar për Paolon!’, dhe unë që iu përgjigja: ‘Po, sigurisht, e mrekullueshme!’. Realiteti ishte ndryshe, të gjithë donim ta vrisnim në ato momente”, përfundon Herri Redknap.