Napoli ka arritur një fitore të vuajtur ndaj Xhenoas në një 90 minutësh, ku përveç shiut iu desh të kishte kundër edhe kushtet atmosferike, që e kthyen tapetin e stadiumit “Marassi” në një moçal ku nuk mund të luhej futboll.
Xhenoa gjeti e para avantazhin me anë të Kuames, i cili shfrytëzoi një krosim të Romulos dhe mposhti Ospinën me një goditje me kokë. Në këtë gol nuk mund të shpëtoj pa faj mbrojtësi shqiptar Elseid Hysaj, i cili pati një moment përgjumje dhe harroi të markonte siç duhej lojtarin nga Bregu i Fildishtë.
Reshjet e vazhdueshme bënë që të mos flitej më për futboll dhe gjyqtari Rosario Abiso çoi skuadrat në dhomat e zhveshjes në minutën e 60-të. Pas një pushimi që zgjati rreth 10 minuta, ndeshja rifilloi dhe Napolit i mjaftuan më pak se dy minuta për të barazuar rezultatin me anë të Ruiz.
Goli i përmbysjes erdhi në minutën 86-të. Mbrojtësi Biraski çon topin në rrjetën pas një dyluftimi me Albiol. Lojtarët vendas pretendojnë për faull nga spanjolli, por gjyqtari e quan golin të rregullt. Me këtë fitore Napoli është përkohësisht tre pikë larg kryesuesve të Juventusit, që nesër kanë një transfertë të vështirë ndaj Milanit në “San Siro”.