Mançester Junajtid është zyrtarisht në krizë. Ekipi i Murinjos regjistroi humbjen e radhës përballë Uest Hemit në transfertë, duke humbur me rezultatin 3-1. Felipe Anderson, Lindelof (autogol) dhe Arnautoviç shënuan golat e fitores për ekipin e Pelegrinit, që ngjitet në kuotën e shtatë pikëve, ndërsa Markus Rashford shënoi golin e vetëm për miqtë.
Goli i parë i ndeshjes erdhi shumë shpejt me Felipe Anderson, i cili kaloi Uest Hemin në avantazh në minutën e pestë. Braziliani shfrytëzoi një pasim të Zabaletës dhe shënoi një gol të bukur me finte.
Dyfishimi erdhi në fundin e pjesës së dytë me anë të një autogoli të Lindelof në minutën e 43. Jarmolenko lëvizi bukur brenda zonës dhe goditi në drejtim të portës. Goditja e tij u devijua nga mbrojtësi suedez dhe topi përfundoi në rrjetën e De Geas.
Miqtë rihapën takimin në minutën e 71 me anë të sulmuesit Rashford, i cili shfrytëzoi një goditje këndi dhe shënoi një gol të bukur. Megjithatë, Uest Hemi mbylli përsëri ndeshjen pas tre minutash dhe vulosi fitoren me golin e Arnautoviç. Sulmuesi austriak shfrytëzoi një pasim të bukur të kapitenit Nobëll dhe mposhti De Gean.
Uest Hemi është rikthyer pas katër humbjeve në ndeshjet e para dhe në tre ndeshjet e fundit ka mbledhur shtatë pikë. Mançester Junajtid regjistron humbjen e tretë në kampionat dhe ndodhet 8 pikë larg Liverpulit kryesues, që do të përballet me Çelsin në orën 18:30.
Uest Hem – Mançester Junajtid 3-1
(Felipe Anderson 5′, Lindelof (aut) 43′, Arnautoviç 74’/ Rashford 71′)