VIDEO | Liverpuli me “5 yje”, “shkërmoq” Arsenalin dhe marshon drejt titullit

0

Liverpuli duket i pandalshëm, pasi “shtyp” edhe Arsenalin me shifrat e frikshme 5-1 brenda në “Anfield”. Roberto Firmino ishte njeriu kryesor i ndeshjes, duke shënuar një tripletë, ndërsa Salah e Man, vunë firmën e tyre gjithashtu në listën e golashënuesve. Fitorja e dhjetë radhazi në Premier Ligë, për ekipin e Klop, të cilët vijojnë marshimin drejt titullit.

Ndeshja nisi menjëherë e çmendur, ku në harkun e pesë minutave u shënuan tre gola. Fillimisht “topçinjtë” dolën në krye  me golin e Maitland-Najls, i cili në minutën e 11-të shtyu drejt rrjetës një top fantastik të shërbyer nga nigeriani Aleks Iuobi.

Nuk vonoi reagimi i Liverpulit, që pas dy minutash barazoi rezultatin me anë të Firminos, i cili i ndihmuar nga një devijim i topit me trupin e Mustafit, i ngeli vetëm të shtynte topin në portën e boshatisur. Sulmuesi brazilian shënoi golin e dopietës në 16-tën, teksa këtë herë nuk i la gjë në dorë fatit, duke dribluar në mënyrë fantastike Mustafin dhe Sokratis dhe i vetëm përballë Lenos nuk gaboi.

Gjithsesi, pjesa e parë vijoi të na dhuronte spektakël, pasi në minutën e 32-të skena ishte për Sadio Mane, i cili pas një pasimi perfekt të Salah, dërgoi shifrat në 3-1. Mohamed Salah festoi gjithashtu në fraksionin e parë, ku fitoi një penallti edhe më pas e shndërroi në gol në minutën e dytë shtesë.

Dominimi i Liverpulit vijoi dhe në pjesën e dytë, ku Roberto Firmino, plotësoi tripletën në minutën e 65-të, pas një tjetër 11-metërshi të shndërruar në gol. Humbje e turpshme kjo për Arsenalin e Unai Emeri, i cili humbet terren me vendin e katërt dhe i lejon mundësinë Mançester Junajtid të afrohet.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.